Një 64-vjeçar nga Tepelena u ekzekutua mbrëmjen e së mërkurës në zonën e ish-bllokut, në Tiranë. Ai u qëllua për vdekje disa herë nga persona të cilët udhëtonin me një automjet dhe ishin vënë në ndjekje të tij.
Autorët kanë përdorur armë me silenciator, për të mos krijuar zhurmë në një zonë të mbipopulluar. Viktima Memli Begalla sapo kishte dalë nga automjeti i tij, kur u qëllua nga prapa disa herë.
Ai u pikas i shtrirë në tokë nga kalimtarët, të cilët lajmëruan sallën operative si edhe shërbimin spitalor. Vdekja e 64-vjeçarit Begalla ka qenë e menjëhershme, pasi qitjet mbi të janë kryer nga shumë afër. Policia tha në një komunikim për mediat se mblodhi prova të mjaftueshme në vendin e ngjarjes, për të ngritur një skemë se si u realizua krimi.
Uniformat blu sekuestruan një mori pamjesh filmike nga shumë biznese rreth e rrotull vendit ku ndodhi krimi. Policia shoqëroi disa dëshmitarë, të cilët e panë ngjarjen dhe grumbulloi dëshmi të vlefshme në lidhje me krimin.
Forcat policore janë duke hetuar në lidhje me pistat e mundshme të këtij krimi, duke pyetur të afërmit e viktimës për problemet apo mosmarrëveshjet që ka pasur kohët e fundit me persona të ndryshëm.
Top Channel