Gjatë vizitës së tij të parë presidenciale në Zagreb, të hënën, Aleksandar Vuçiç i dorëzoi kryetares së shtetit kroat, Kolinda Grabar-Kitaroviç, një duzinë dosjesh të serbëve të zhdukur nga zona e Dvorit, pas një zotimi të tyre të përbashkët për të zgjidhur çështjen e personave të humbur nga lufta e viteve 1990.

Dy presidentët premtuan gjithashtu të zgjidhnin mosmarrëveshjet e vazhdueshme kufitare dhe të ndreqin marrëdhëniet dypalëshe, të cilat kanë mbetur të tensionuara prej fërkimeve të përsëritura mes Zagrebit dhe Beogradit.

“Unë mendoj se Serbia dhe Kroacia do të duhet të kenë marrëdhënie shumë më të mira në të ardhmen, pavarësisht nëse të gjithë institucionet politike e dëshirojnë apo jo një gjë të tillë”, tha Vuçiç për mediet pas takimit me Kitaroviç.

I pyetur nëse Beogradi do t’i japë Zagrebit edhe dokumente nga Spitali i Vukovarit, ku kroatët u zhdukën gjatë masakrës së nëntorit të vitit 1991 dhe nga kampet serbe të kohës së luftës, përgjigjja e presidentit serb ishte se “çdo ndihmë do të sigurohet”.

Ndërkohë është rënë dakord, që dy vendet të krijojnë komisione për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kufitare që zgjasin prej dy vitesh. Nëse ata dështojnë, atëherë do të ketë një proces arbitrazhi.

Në “mollë sherri” është kthyer kufiri 136 kilometërsh përgjatë Danubit. Serbia pretendon se lumi duhet të jetë kufiri natyror mes dy vendeve, ndërsa Kroacia kërkon që vija ndarëse të jetë përgjatë kufijve kadastralë të komunave pranë Danubit.

Vuçiç tha gjithashtu se të gjithë zyrtarët serbë “do të kenë një detyrim” për të mos fyer zyrtarë kroate për 100 ditët e ardhshme, pavarësisht se çfarë bëjnë homologët e tyre nga Kroacia.

Top Channel