Lojërat Olimpike Dimërore në Pyeongchang të Koresë së Jugut vazhdojnë të zhvillohen në kushte relativisht optimale për sa i përket specifikës së sporteve.
Dy sportistët shqiptarë nuk kanë zhvilluar ende garat e tyre, në pritje të ditës së kategorisë ku ata marrin pjesë.
Suela Mëhilli do të marrë pjesë më 14 shkurt në “Slalom” dhe më 15 shkurt në “Slalom gjigant”. Përpara këtyre garave, ajo së bashku me trajnerin e saj tregojnë përgatitjet për garat në një prononcim për Top Channel.
“Sot provojmë pistën e garës, bën shumë ftohtë por pista duket mirë. Nesër kemi garën, shpresoj që të bëjmë sa më mirë”, thotë Suela Mëhilli, skiatore.
“Koha këtu është shumë e bukur. Gara e slalomit gjigant do të jetë teknike, pasi pista është e pjerrët. Suela është stërvitur mjaft mirë, shpresojmë që të bëjë një paraqitje shumë të mirë dhe të marrë një rezultat të kënaqshëm”, thotë trajneri i Suelës, Marco Teroni.
Skiatori tjetër shqiptar, Erjon Tola do t’i ketë garat e tij në datat 18 dhe 22 shkurt, respektivisht “Slalomin gjigant” dhe “Slalomin special”. Edhe për të vazhdon stërvitja në respektim të programit, pavarësisht se temperaturat janë ekstreme, deri në -22 gradë.
“E kemi ndjekur programin në mënyrë shumë të rreptë për të arritur në një formë ideale në garë. Moti ka mbajtur shumë mirë, ka pasur gjithmonë diell, përveç faktit që ka pasur shumë erë dhe temperatura ekstreme deri në -22 gradë”, rrëfehet skiatori Erjon Tola.
Top Channel