Si ndalet blerja e votës? Financimi i partive politike, flasin ekspertët

13/02/2018 15:15

Financimi i partive politike në fushatë elektorale është një problem i vjetër, që vetë politika vijon ta lerë pa zgjidhje edhe pse raportet e OSBE/ODIHR-it përsërisin veten mbi këtë çështje.

Në tryezë janë hedhur edhe ide për përdorimin ekskluzivisht të financimit shtetëror. Por dy ekspertë, ish-kryetarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thonë për Top Channel se zgjidhja nuk është zhvillimi i fushatave me lekët e shqiptarëve.

Çlirim Gjata: Kjo për mua është gabim. Ku ka kufizim, ka korrupsion. Liberalizoje. Financo sa të duan. Por, problemi është që rrit transparencën dhe kontrollin. Kush po i financon dhe pse?!

Kristaq Kume: Në kuadër të ndryshimeve që do të bëhen në Kodin Zgjedhor të rishikohet sa, si dhe kush mund të financojë.

Ligji aktual u kërkon partive një raport mbi shpenzimet në fushatë 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar, kur lojërat janë kryer e kur palëve u mbetet veç të akuzojnë njëra-tjetrën se kush ka futur në Parlament më shumë persona të papërshtatshëm, apo paratë e krimit.

Çfarë propozon Çlirim Gjata dhe Kristaq Kume është më shumë kontroll në kohë reale, për të kuptuar që në fushatë se kush do të jenë klientët e pushtetit të ardhshëm.

Çlirim Gjata: Ditën që shpall Presidenti datën e zgjedhjeve duhet të atashohen pranë çdo zyre finance partie kontrolluesit. Kjo është ajo që themi kapja e oligarkëve. Kapja e pushtetit nga oligarkët, fillon që në fushatë.

Kristaq Kume: Është shumë e rëndësishme vendosja në Kodin Zgjedhor të kushtëzimeve që bëjnë të mundur verifikimin e kësaj, jo vetëm post mortum, pra nëpërmjet raporteve, por në kohë reale.

A kanë besim dy ekspertët se diçka do të përmirësohet në zgjedhjet e ardhshme? Opsionet nuk mungojnë, pohojnë ata, por vullneti politik është në kërkim.

Çlirim Gjata: Jam skeptik se për zgjeshjet e ardhshme, sepse tani unë duhet të bëhet një ligj që të kontrollojë veten time sa po vjedh, apo nuk po vjedh. Atëherë mendoj që një ndërhyrje e faktorit ndërkombëtar për të rregulluar sistemin e kontrollit me një ligj.

Kristaq Kume: Kjo është çështje që ka filluar kohë përpara të diskutohet si e tillë dhe që në mirëzgjidhjen e saj tashmë ka në tavolinën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kontribute të organizmave të ndryshëm.

Gjata dhe Kume paralajmërojnë se transparenca e fondeve e shpenzimeve në fushatë nuk zgjidh një problem tjetër të zgjedhjeve në Shqipëri, atë të blerjes së votës, që kalon nga kanale të errta e kriminale.

Top Channel