Dashuri në kohërat e të ftohtit! Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim jong-un e lavdëroi pritjen që fqinji jugor i bëri delegacionit të tij në Pyeongchang, e bëri thirrje për t’i dhënë energji të re klimës së ngrohtë të pajtimit të krijuar nga Lojërat Olimpike të Dimrit.
Njeriu që shkaktoi tension të lartë ndërkombëtar me testet e tij raketore dhe bombat atomike i ka ulur ndjeshëm tonet, e këtë gjë duket se po bëjnë edhe vendet që u gjendën përballë tij në retorikën e luftës.
Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in ka përcjellë jo vetëm një qasje shumë të zbutur të vendit të tij, por thotë gjithashtu se edhe Shtetet e Bashkuara janë të hapura për bisedime me Veriun komunist.
Ai nuk sqaroi, megjithatë, nëse u referohej komenteve të bëra nga zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, gjatë rrugës së kthimit për në Uashington, apo ka informacione të tjera.
“Po deshën të bisedojnë, ne do të bisedojmë”, citohet të ketë thënë Pence. Por, ndërsa pjesëmarrja e Veriut në Lojërat Dimërore u pa si një sinjal i rëndësishëm i shkrirjes së akujve mes dy vendeve, nuk mungojnë shqetësimet se e gjithë kjo situatë u lejua për qëllime propagandistike.
Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut nuk kanë firmosur kurrë një traktat paqeje që prej Luftës Koreane të viteve 1950, e janë në gjendje të vazhdueshme mosbesimi ndaj njëra-tjetrës.
Top Channel