Pas kanioneve të Osumit, Top Channel i ra këmbanave të alarmit edhe për kanionet e Nivicës në Tepelenë, një tjetër monument natyror i mbrojtur me ligj që prej vitit 2002, ku janë dhënë leje për ndërtim hidrocentralesh.

Dy prej lejeve të dhëna në kohën e qeverisë Berisha në vitin 2012, për hidrocentralin “Driza 1” dhe Këndrevica, u konfirmuan në nëntor 2015 nga qeveria “Rama”, kur Ministria e Kulturës e drejtuar nga Mirela Kumbaro autorizoi projektin e hidrocentralit “Driza 1” në pellgun ujëmbledhës të përrenjve të Nivicës dhe Gusmarit.

Autorizimi i Ministrisë së Kulturës ishte i nevojshëm sepse në zonë ndodhen rrënojat e një qyteti antik krejtësisht të paeksploruar, që sipas studiuesit Auron Tare është i ngjashëm me Butrintin. Por Ministria e Kulturës autorizoi hidrocentralin me argumentin se punimet nuk cenojnë rrënojat antike. E pyetur nga Top Channel të martën për këtë çështje, ministrja Kumbaro dha këtë përgjigje: “Çdo projekt për HEC kalon për shqyrtim në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë dhe në Këshillin Kombëtar të Restaurimit, të cilët verifikojnë nëse në territorin ku zhvillohet projekti ka potencial arkeologjik apo të pasurive kulturore. Për projektin në fjalë nuk e kam kujtesën për t’ua dhënë përgjigjen, por mund ta verifikoj dhe mund të ua japim përgjigjen në kohën më të përshtatshme për ju”.

Por përveç sitit antik, kanionet në Nivicë janë monument natyror që mbrohet me ligj. Në korrik të vitit 2015, pra disa muaj përpara se sa qeveria të rinovonte lejet për hidrocentralet, Kryeministri Rama deklaroi prerazi se nuk do t’i lejonte të ndërtoheshin hidrocentralet brenda zonave të mbrojtura, për të cilët nuk kishin filluar punimet.

“Janë 58 projekte HEC-esh në zonat e mbrojtura, por të gjitha ato që nuk kanë filluar nuk do të fillojnë më. Projektligji ndalon përfundmisht çdo lloj institucioni që të përfshihet në dhënie të drejtash për shfrytëzim të pasurive natyrore në zona të mbrojtura”, shprehej Rama.

Ky ishte një premtim i bërë në kohë qeverisje, por që kur ishin në opozitë, socialistët kishin premtuar se do të zhbënin çdo leje koncesionare të dhënë në kundërshtim me ligjin:

“Bazuar në rekomandimet e BE-së, në raportin e progresit për energjinë elektrike, veçanërisht bazuar në rekomandimet e BE-së për ligjin e koncesioneve dhe praktikat koncesionare, ne do të zhbëjmë këtë proces. Ne do i zhbëjmë të gjitha kontratat ekstraligjore, politike dhe klienteliste”, shprehej deputeti Erion Braçe.

Nëse kanionet e Osumit mund të quhen të shpëtuar, sepse vetë kryeministri u angazhua për anulimin e lejes koncesionare, a nuk vlen njësoj edhe Nivica?

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA