Ruçi pret Delegacionin e BE: Optimistë për çeljen e negociatave këtë qershor

12/02/2018 19:24

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti sot Delegacionin e Parlamentit Europian në Komitetin Parlamentar të Stabilizim Asociimit, BE – Shqipëri (KPSA), në kuadër të takimit të 12-të që ky Komitet po zhvillon në Kuvendin e Shqipërisë.

Delegacioni kryesohej nga Znj. Monica Macovei. Nga pala shqiptare në këtë takim ishte i pranishëm z. Taulant Balla, Bashkëkryetar i KPSA-së.

Kryetari i Kuvendit përshëndeti publikimin e Strategjisë “Perspektiva e besueshme për zgjerimin dhe për një angazhim të shtuar të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor” si një mundësi historike për vendet e Ballkanit Perëndimor për ndërtimin e rrugës së tyre europiane dhe një shtysë për këto vende në hartimin dhe zbatimin e reformave të rëndësishme. Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen dhe vëmendjen e vazhdueshme të Parlamentit Europian ndaj Shqipërisë, z. Ruçi u shpreh se “pritshmëria jonë për hapjen e negociatave me BE-në në qershor të këtij viti është e lartë” dhe se “të vetëdijshëm për sfidat në përmbushjen e rekomandimeve të BE-së, jemi besimplotë në realizimin me sukses të reformat vendimtare për vendin”.

Në vijim të takimit, Kryetari i Kuvendit vuri në dukje progresin e bërë nga Kuvendi në drejtim të adresimit të saktë të rekomandimeve të raporteve vjetore të KE-së për Kuvendin për funksionin ligjvënës, forcimin e rolit mbikqyrës, forcimin e transparencës parlamentare, për autonominë financiare, si dhe për forcimin e kapaciteteve. Në kuadër të pasqyrimit të veprimtarisë parlamentare, Kryetari i Kuvendit u ndal në mënyrë të posaçme në hapat e hedhur në drejtim të konkretizimit të Reformës në Drejtësi, përmes miratimit të strukturave dhe organikës të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, ngritjen e Komisionit Ad Hoc për Reformën Zgjedhore, miratimin e ligjit për pakicat kombëtare. Z. Ruçi nënvizoi faktin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjeve të tjera të sipërpërmendura me konsensus të forcave politike parlamentare.

Nga ana e Delegacionit të PE-së në KPSA u shpreh mirënjohja për këtë takim dhe për panoramën që Kryetari i Kuvendit i bëri zhvillimeve në kuadër të veprimtarisë parlamentare. Duke shprehur optimizmin e tyre për mundësinë e çeljes së negociatave me BE-në për Shqipërinë, pjesëmarrësit në takim nënvizuan rëndësinë e intensifikimit të dialogut politik dhe të zbatimit të ligjit, si një domosdoshmëri për progresin e vendit tani dhe në të ardhmen.

Top Channel