Lindja e Mesme, Trump: Palestinezët nuk duan paqe

12/02/2018 08:53

Presidenti amerikan Donald Trump tha se kolonitë izraelite e komplikojnë procesin e paqes me palestinezët, ndërsa kërkoi kujdes për këtë çështje.

Në një intervistë për një gazetë izraelite, Trump tha se nuk beson që palestinezët, e mbase as izraelitët, të jenë gati për të bërë paqe.

Presidenti Trump zemëroi palestinezët dhjetorin e kaluar, kur njohu Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit, madje kërcënoi edhe me ndërprerje të ndihmës për palestinezët, nëse nuk kthehen në tryezën e bisedimeve.

Komentet e fundit të udhëheqësit amerikan u bënë në një intervistë për gazetën “Yisrael Hayom”. I pyetur se kur do të prezantojë planin e tij të paqes, Trump tha se do të presë e të shohë se çfarë do të ndodhë.

“Aktualisht palestinezët nuk duan paqe. Thjesht nuk duan. Nuk jam i sigurtë për Izraelin, nëse do paqe apo jo, prandaj të presim”, deklaroi Trump.

Në kuadër të kolonive, Trump tha se ato do të diskutohen si një pengesë që ka komplikuar procesin e paqes dhe Izraeli duhet të ketë kujdes me to.

Trump mbrojti gjithashtu në intervistë sërish njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, e tha se kjo ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme gjatë vitit të tij të parë në detyrë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA