Kultivimi i kanabisit, Vlahutin: Ka pasur ulje. Pollo: A keni informacionin e duhur?!

12/02/2018 17:46

Kërkesat e larta për azil dhe trafiku i drogës ka qenë shqetësimi që ka ngritur Aldo Bumçi për përfaqësuesit e BE gjatë takimi të 12-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit që po zhvillohet në Tiranë.

“A ju ngacmojnë të dhënat e shqiptarëve që largohen për azil në shtet e BE. Cila është e vërteta, në Shqipëri thuhet se po luftohet trafiku i drogës ndërsa të dhënat nga jashtë tregojnë se ka një shtim të saj”, ngriti shqetësimin Aldo Bumçi.

Ambasadorja e BE, në Shqipëri Romana Vlahutin, e cila gjithashtu përfaqëson në këtë takim Federica Mogherinin, duke iu përgjigjur Aldo Bumçit theksoi se duke iu referuar të dhënave të Guardia di Finanza gjatë 2017-s ka pasur një ulje të kultivimit të kanabisit.

“Ai grafik tregon se po punohet akoma më shumë. Ne varemi shumë nga informacioni që kolegët tanë italianë na japin. Kultivimi i kanabisit është problem i hershëm. Aksioni në Lazarat nuk ndihmoi që ky problem të zhdukej, të dhënat e Guardia di Finanza thuhet se është rritur kultivimi. Por sipas saj në 2017-ën ka pasur një ulje dramatike, jemi në pritje të shohim se si do të jetë 2018-a. Nisur nga eksperienca e lazaratit, presim qëndrueshmëri”, u shpreh Vlahutin.

Duke iu përgjigjur po ashtu shqetësimit të ngritur nga Aldo Bumçi, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati vuri në dukje edhe rolin e Guardia di Finanza në Shqipëri.

“Jemi i vetmi vend në Ballkan që hapësira ajrore na monitorohet edhe nga një shtet tjetër, pra Italia, spse dihet bashkëpunimi me Guardia di Finanza”, u shpreh ministri.

Më tej Bushati ka folur edhe shqetësimin e azilkërkuesve shqiptarë për të cilët theksoi se është në rënie.

“Ka shqiptarë që për shkak të vështirësive ekonomike kërkojnë mundësi më të mira nëpër Europë. Kjo nuk na ka penguar që të ndërmarrim masa për frenimin e këtij fenomeni. Shifrat e azilkërkuesve shqiptarë është në rënie, kjo është parë edhe në raportin e nëntorit të vitit të kaluar. T’u bëjmë thirrje bashkëqytetarëve shqiptarë që të mos abuzojnë me Schengen sepse do të dëmtonim vendin”, u shpreh ai.

Ndërkohë që Genc Pollo, Kryetari i Komisionit të Integrimit Europian në Kuvend, ka ngritur dyshimin nëse Brukseli ka apo jo informimi të plotë për situatën e kanabisit në Shqipëri.

“Në deklaratën e Stabilizim Asocimit të kryesuar nga zonja Mogherini për palën e BE të mbajtur në nëntor të vitit të kaluar flitet për rezultate pozitive të arritura në luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe kjo më duket se bie në kundërshtim me raportin e Europolit publikuar tre javë më vonë, i cili vlerëson se Shqipëria mbetet burimi kryesor i kanabisit bimor të trafikuar në Bashkimin Europian. Duhet të mendojmë që a ka patur Brukseli informacionin e duhur dhe objektivin e plotë për këtë çështje”, u shpreh Pollo.

Top Channel