Ende nuk janë mësuar shkaqet e rrëzimit të avionit rus me 71 persona në bord gjatë së dielës në Rusi, por ajo që mund të thuhet me siguri është se ka dy “të mbijetuar” nga ky aksident tragjik.
Ata janë një çift, e supozohej të ishin pjesë e fluturimit të së dielës që përfundoi në mënyrë tragjike me vdekjen e të gjithë pasagjerëve dhe ekuipazhit, vetëm sepse ndryshuan biletat e tyre në minutën e fundit. Kjo, sepse makina që kishin planifikuar të blinin nuk ishte ende gati, sipas një raportimi të medieve të huaja.
Maxim Kolomeytsev, i cili mbushi 35 vjeç të dielën, pritej të ishte pjesë e fluturimit fatal “6W703”, së bashku me të dashurën e tij 25-vjeçare, Nazezha, në mënyrë që ta kalonin ditëlindjen e tij me familjen në qytetin e Orskut, raporton “East 2 West”.
Biznesmeni me fat kishte planifikuar gjithashtu t’i bënte vetes si dhuratë një automjet të ri, nga një ofertues në qytetin e tij të lindjes, por tregtari e kishte telefonuar se makina nuk mund të ishte gati në kohën e parashikuar.
“Kur mësova se makinën nuk do ta kisha gati, atëherë zgjodha të shtyja udhëtimin me një javë”, tha Maxim. Ndryshimi i biletave, sigurisht që u kushtoi rreth 170 dollarë, por më mirë kaq sesa jetën. “Të paktën jemi ende gjallë”, shtoi ai.
Avioni i pasagjerëve që i përkiste kompanisë “Saratov Airlines” u përplas vetëm 5 minuta pasi ishte ngritur në fluturim për në Orsk nga Aeroporti “Domodedovo” i Moskës, duke vrarë të 71 personat në bord.
Top Channel