Neritan Licaj, aktor në trupën e Teatrit Kombëtar, thotë se artistët nuk janë pyetur më parë nga Ministria e Kulturës lidhur me zhvendosjen e tyre nga Teatri Kombëtar në skenën Turbina.

Prej gati një jave artistët kundërshtojnë këtë vendim, por edhe ndryshimet që parashikohen në projektligjin e ri ‘Për Artin dhe Kulturën”, i cili sipas tyre synon centralizim të të gjitha projekteve kulturore në duart e ministrisë.

Liçaj kundërshton deklaratën e bërë një ditë më parë nga Ministrja Mirela Kumbaro, duke thënë se artistët nuk janë dakordësuar më parë për këtë zhvendosje.

“Neve nuk na është bërë e qartë dhe nuk është bërë aspak transparencë. Ne nuk kemi si të jemi dakord përderisa nuk na ka sjellë asgjë konkrete. Pra, je dakord ti që të të bëj unë një shtëpi të re më të mirë. S’ka njeri që mund të mos jetë dakord, por prit njëherë të shoh shtëpinë se mos është barakë”, thotë Liçaj.

Ministrja e Kulturës ka deklaruar se është e gatshme t’ju takojë, cilat janë pritshmeritë tuaja?

“-Pritshmëritë janë të mëdha për të rënë dakord për ato gjëra që janë të papranueshme nga çdo pikëpamje: ligjore, nga ana logjike, nga ana artistike. Presim që të vijë me një mendësi për të na dëgjuar të gjitha problemet, për të mos i rënduar gjërat deri në ekstrem, sepse nuk përfiton akush nga kjo”, përgjigjet Liçaj.

Për aktorin, ekzistenca e Teatrit Shtetëror në zemër të qytetit është një domosdoshmëri.

“Ne kemi dalë jashtë në Perëndim dhe kemi parë si janë qytetet e kryeqytetet e mëdha të Europës. Kanë një katedrale, një galeri, një teatër dhe një opera në qendër të qytetit. Teatri është simbolika e një qyteti”, thotë Liçaj më tej.

Top Channel