Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla ka kërkuar ndjesë publike për vonesat e pagave të pedagogëve, që për ministren ndodhi për shkak të integrimit të ligjit të arsimit të lartë në ligjin e buxhetit.

“Unë do të përfitoj nga rasti profesor të kërkoj një ndjesë të madhe publike, për vonesën e pagës së tyre për t’iu thënë që nuk është as më shumë dhe as më pak, po pikërisht dhe nevoja që dhe qeveria dhe institucionet qeverisëse të bëjnë maksimalisht detyrat e tyre të shtëpisë sepse është një axhustim i nevojshëm, që vjen përmes ligjit të ri të arsimit të lartë, që ofron më shumë autonomi financiare për universitetet, duke vendosur që çdo buxhet që mbetet në fundvitit të trashëgohet në vitin pasaardhës buxhetor. Ky ligj, apo kjo mundësi e re e zgjerimit të autonomisë financiare, që vjen përmes ligjit të arsimit të lartë, kërkon axhustimin e vet në ligjin e buxhetit, gjë për të cilën ne e kemi tejkaluar tashmë me ministrinë e Financave, dhe ndërkohë ishte dhe një ushtrim pa larguar asnjë lloj përgjegjësie nga vetja, në vëmendje të administratorëve, që nuk ishin në lartësinë e detyrës që ti përgjigjeshin me zhdërvjelltësi këtij momenti të rëndësishëm, që lidhet me gjithë administrimin e financave dhe gjithë linjës administrative në institucionet tona të arsimit të lartë”, tha znj. Nikolla.

Por Partia Demokratike, përmes kryetares së komisionit parlamentar të Arsimit, Albana Vokshi, e akuzon ministren se nuk ka nxjerrë qëllimisht aktet nënligjore që do të lejonin pagesën e 15 mijë pedagogëve.

 

Top Channel