Në postimin e tij në Facebook kryeministri u shpreh se nuk ka qeveri të pagabueshme, por qeveritë dallojnë nga mënyra sesi reagojnë pas gabimit. Në fakt kryeministri i njeh mirë kanionet o Osumit. Por jo vetëm ai.
Të gjithë politikanët më të lartë që rrezikonin të shkatërronin këtë monument të natyrës kanë bërë rafting në kanionet e Osumit. Në 22 qershor të vitit 2014, me ftesën e Ilir Metës, Edi Rama ishte për një vizitë turistike në kanionet e Osumit. Në atë kohë, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim qeverisnin bashkë, ndërsa Rama me Metën ndanin majat e pushtetit, njëri si kryeministër dhe tjetri si kryetar i Kuvendit.
Bashkë me dy udhëheqësit e partive dikur aleate ishin edhe disa nga ministrat e tyre si damian gjinkuri dhe Nasip Naco. Sic duket nga pamjet, të gjithë të relaksuar dhe të lumtur, larg stresit dhe zhurmës politike të Tiranës.
Ironikisht në këtë grup njerëzisht të lumtur dhe mahnitur nga bukuritë e kanionit, ndodhen kërcënuesit e tij më të mëdhënj.
Damian Gjiknuri është ministri i energjisë që firmosi ndërtimin e dy hidrocentraleve mbi kanion, njërin prej të cilëvve fiks mbi ujëvarë.
Nasip Naço, edhe ky ish ministër Energjie, i përfolur për lidhje të afërta me biznesmenin që ka marrë koncesionin.
Edi Rama, kryeministri që dikur akuzonte Sali Berishën për barbari me ndërtimin e HEC-eve në zonat e mbrojtura, është njeriu që miratoi lejen e ndërtimit për dy hidrocentrale mbi këtë mrekulli të natyrës dhe që të premten tha se do ta anulojë.
Lista e politikanëve dhe zyrtarëve që kanë vizituar kanionet e osumit dhe janë argëtuar aty është e gjatë. Mes tyre është edhe ministri Blendi Klosi, apo edhe ambasadori amerikan Donald Lu. Duke anuluar ndërtimin e hidrocentraleve, Rama, Gjiknuri, Klosi, etj., i lenë hapur mundësinë vetes që të rikthehen sërish këtu, për rafting.
Postimi i plotë i Kryeministrit Rama
“Qysh se u krye procedura ligjore e miratimit të një lejeje të dhënë nga qeveria e mëparshme dhe u mor sinjali se diçka nuk shkonte, Ministri i Mjedisit Blendi Klosi nisi hetimin administrativ të lejes mjedisore. E cila rezultoi një fabrikim kriminal me koordinata të manipuluara. Individët e përfshirë në këtë fabrikim do të kallëzohen në prokurori, ndërsa e gjithë procedura do të anulohet.
Falenderoj qytetarët që na e çuan të parët këtë sinjal përmes Platformës së Bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al dhe të gjithë të tjerët që u përfshinë në publikimin e këtij krimi të mbetur në tentativë.
Asnjë qeveri askund në botë nuk është e pagabueshme, por qeveritë dallojnë nga mënyra sesi reagojnë, qoftë kur gabojnë apo qoftë si në këtë rast, kur pa dashje mund të jenë duke gabuar.
Ndjesë kujtdo që me të drejtë u shqetësua apo pikëllua nga lajmi i keq i prekjes së Kanioneve Magjike dhe mezi pres të rikthehem atje, në duart e djemve e vajzave të mrekullueshme të Federatës Shqiptare të Raftingut”, mbyllet postimi i Kryeministrit në “Facebook”.
Top Channel