Përmbytjet nga Osumi, Ministria e Bujqësisë nuk ka ende statistikë për dëmet

09/02/2018 14:45

Në fshatrat e zonës se Velabishtit në Berat, lumi Osum përmbyt çdo vit qindra hektar. Mungesa e argjinaturës ka bërë që tokat bujqësore përgjat lumit në fshatrat Veterik, Velabisht dhe Starovë të njësise administrative Velabisht të dëmtohen rregullisht.

“Mirë vreshtat por po na merr edhe tokën uji…”, thotë një banor.

“Totalisht nga argjinatura… ky lumë ka qenë, pse nuk përmbytej përpara këtu?”, thotë një tjetër.

Banorët pretendojnë se devijimi i lumit Osum nga marrja e inerteve dhe hedhja e mbetjeve të ngurta prej më shumë se 20 vite janë shkaktarë të përmbytjes.

“20 vjet me ullinj aty ikën kot…. Gjynah se ne me këto ushqehemi”, thotë një tjetër banor.

“I paguajmë dritat, i paguajmë taksat, por asnjë përmirësim nuk kemi parë”, thotë një tjetër.

Banorët në zonat e përmbytura janë në pritje të ndihmës nga autoritetet. Por duket se kjo nuk do të ndodhë tani shpejt. Në Ministrinë e Bujqësisë, po bëhet një raport përfundimtar për dëmet e shkaktuara së fundmi.

Një vendim për dëmshpërblime apo ndihma për zonat e dëmtuara do të merret më vonë pas një vlerësimi përfundimtar në bashkëpunim me emergjencat civile.

 

Top Channel