Monika Qosja do të jetë deputetja më e re në Kuvendin e Shqipërisë. Ndonëse e renditur e shtata në Qarkun e Beratit për Partinë Demokratike në zgjedhjet e qershorit, ajo pritet të marrë mandatin e ligjvënëses brenda 30 ditëve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Qosja do të zëvendësojë kështu Eduard Halimin e dorëhequr këtë të premte.
Në listën e Beratit, Eduard Halimi ndiqej nga Astrit Veliaj, Lefter Maliqi, Bujar Hoxhaj, Myslim Haxhin, Juvina Jani.
Për shkak të kuotave gjinore, mandati i ish-ministrit të Drejtësisë i kalonte direkt Juvina Janit. Por kjo e fundit, e kontaktuar nga Top Channel ka deklaruar se do të refuzojë ftesën për t’u bërë anëtare e Parlamentit shqiptar për arsye familjare.
Automatikisht mandati i kalon Monika Qosjes.
Eduard Halimi dorëzoi mandatin e deputetit këtë të premte. Siç bën të ditur edhe vetë në postimin e tij në Facebook, arsyeja se përse ish-ministri i Drejtësisë ka marrë këtë vendim është sepse do t’i përkushtohet një projekti të së drejtës ndërkombëtare private në një rrjet ballkanik.
Top Channel