Evazioni fiskal, Marku: Hetim jo vetëm subjektit, por dhe zyrtarëve të tatimeve

09/02/2018 12:43

Krahas hetimeve ndaj subjekteve që kryejnë evazion fiskal duhet përqëndruar vëmendja te nëpunësit publikë të administratës tatimore është shprehur kryeprokurorja Arta Marku në analizën e Prokurorisë së Fierit.

Fieri vijoi znj, Marku është një nga ekonomitë më të mëdha të vendit, përfshi dhe sektorin e naftës dhe gazit.

“Për vitin 2017 janë hetuar një numër jashtëzakonisht i papërfillshëm në fushën e tatim-taksave, ndërkohë që jemi të vetëdijshëm se sjelljet që cënojnë legjisalcionin tatimor janë të shumta dhe shpesh të ndëshkueshme penalisht. Fshehja e të ardhurave nuk mund të realizohet nga subjektet tregtare pa patur ndihmën dhe bashkëpunimin e nëpunësve të administratës tatimore, të cilët shpeshherë misionin e tyre, atë të mbledhjes së të ardhurave për Buxhetin e Shtetit, e shkëmbejnë me përfitime personale. Krahas hetimeve ndaj subjekteve që priren të kryejnë evazion fiskal duhet përqëndruar vëmendja te nëpunësit publikë të administratës tatimore”, tha kryeprokurorja.

Për kreun e organit të akuzës shqetësim është edhe rritja e veprës penale të futjes ose mbajtjes së sendeve të ndaluara në burg. “Ka një rritje të veprës penale të “futjes ose mbajtjes së sendeve të ndaluara në burg”. Është konstatuar një frenim i referimeve dhe i hetimeve të veprave penale në fushën e korrupsionit. Kjo tregon për një mosbashkëpunim ndërmjet prokurorisë, shërbimeve të policisë gjyqësore dhe agjencive të tjera ligjzbatuese. Zgjidhja momentale e një problemi duke ofruar ryshfet nuk është fitorja e qytetareve dhe as standarti ku ne pretendojmë të shkojmë. Ndëshkimi sipas ligjit dhe ndërgjegjësimi qytetar janë, dy përbërës që plotësojnë njeri-tjetrin dhe që do të çlirojnë shoqërinë nga korrupsioni”, ka vijuar znj. Marku.

Top Channel