Ajo shkëlqeu me performancën e saj në shfaqjen e zbulimit të zërit më të mirë të Francës, “The Voice”, por 22-vjeçarja myslimane është larguar nga “show” televiziv për shkak të disa komenteve të bëra kohë më parë në rrjetet sociale.
Mennel Ibtissem, 22-vjeçarja franceze, kishte hedhur dyshime në një postim mbi natyrën terroriste të sulmit me kamion në Nice gjatë vitit 2016. Megjithatë, ajo shprehet se mesazhi i publikuar një ditë pas sulmit ishte keqkuptuar.
Videoja e performancës së saj, me këngën “Hallelujah” të Leonard Cohen, është bërë virale në rrjetet sociale duke u parë më shumë se 900 mijë herë në “Youtube”.
Komentet në mediet sociale, të cilat tashmë janë fshirë, dolën në pah pas performancës befasuese të saj në programin televiziv muzikor.
Media franceze raporton se, në postimin mbi sulmin e Nicës ku mbetën të vdekur 86 persona në ditën e Bastijës, ajo shkruante:
“Qenka mirë që është kthyer në rutinë, një sulm në javë! Dhe për të qenë gjithmonë besnikë, ‘terroristi’ paska marrë dokumentet e identitetit me vete. Po, është e vërtetë se, kur ke në plan të bësh diçka të pistë, ti nuk mund të harrosh të marrësh me vete dokumentet identifikuese”.
Pas këtij mesazhi ishte shtuar edhe një “hashtag”, #PrenezNousPourDesCons, që do të thotë “na merrni për idiotë”.
Drejtuesi i atij kamioni u identifikua si një 31-vjeçar nga Tunizia.
Pak javë më vonë, pasi një person hyri në një kishë të Saint-Etienne-du-Rouvray duke vrarë një prift të moshuar, ajo shkruante sërish: Terroriste e vërtetë është qeveria jonë!
Komentet e saj shkaktuan gjithashtu një stuhi në rrjetet sociale, me disa përdorues që i konsideronin ato si ofendim ndaj viktimave të sulmit të Nicës. Shoqata e viktimave tha se ato ishin “të papranueshme”.
Presioni u shtua ndjeshëm edhe ndaj rrjetit televiziv “TF1”, producente e “The Voice”, për të hequr këngëtaren e talentuar nga kompeticioni. Por pati edhe nga ata që e mbrojtën këngëtaren myslimane, duke thënë se ajo po shënjestrohej padrejtësisht për shkak se është myslimane.
Pas kësaj stuhie, Ibtissem kërkoi ndjesë, duke thënë se ajo “sigurisht që e dënon terrorizmin”.
ENGLISH VERSIONI have an important message for you
Posted by Mennel Official on Thursday, February 8, 2018
Por të premten, ajo njoftoi se do të largohej përpara kohe nga programi. “Nuk kam dashur kurrë të lëndoj dikë dhe ideja se mund ta bëj këtë me qëllim më vret jashtë mase. Do të vazhdoj të jap mesazhe për paqen, tolerancën, e aspak nga ato që kanë lidhje me fanatizmin ekstrem”.
Edhe njoftimi për largimin e saj të parakohshëm, në frëngjisht, është parë mbi 500 mijë herë, me shumicën e komentuesve që e mbështesnin. Ndërsa “TF1” nuk ka reaguar ende mbi këtë zhvillim.
Top Channel