Arkiva e Reuf Ficos. E merr në dorëzim AQSH, së shpejti e hapur për publikun

09/02/2018 20:12

Në arkivin e familjes së Reuf Ficos ruheshin korrespodencat e tij me Ismail Qemalin dhe Mbretin Zog.

Ish-këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të qeverisë së Ismail Qemalit apo ish-ambasador i Shqipërisë në Jugosllavi në vitet 33–36, Reuf Fico ka qenë një dëshmitar kyç i viteve të para të shtetit shqiptar. Në arkivat e tij shfaqen lëvizjet politike të shqiptarëve të Kosovës në ish-Jugosllavi, apo fortifikimi i kufijve nga ana e Greqisë në vitin 1936. Nga sot, këto dokumenta i dhurohen Arkivit Qëndror Shtetëror nga familjarët e Ficos.

Nahlel Fico, mbesa e Reuf Ficos, thotë: “Dokumentat kryesore janë korrenspodencat. Marrëdhëniet e bashkëpunimit që ka pasur kur ka qenë ministër fuqiplotë në atë periudhë. Gjithashtu janë hartat si kanë qenë territoret e Shqipërisë”.

Prf. Dr. Agron Fico shprehet: “Faik Konica thoshte për Reuf Ficon se ishte shqiptar edhe atëherë kur nuk kishte Shqipëri. Një tjetër personalitet i kohës sonë, Ismail Kadare, thotë se Ficoja ishte dhe mbetet ministri i Jashtëm më i shquar gjatë gjithë historisë së shtetit shqiptar. Një moment shumë solemn i Reuf Ficos është që në 1925, kur vdiq Uillsoni i madh, ai u ngrit dhe propozoi të mbahen 5 minuta heshtje”.

Ndërsa Ardit Bido, drejtor i AQSH, thekson: “Është çasti që t’i bëj një thirrje të gjthë trashëgimtarëve të figurave të mëdha që të vijnë dhe të dorëzojnë në arkiv, që këto figura të mund të studiohen”.

Arkivi i Reuf Ficos përbëhet nga mbi 1300 fletë dorëshkrime, mbi 2200 fletë shtypshkrime, 358 fletë gazetash, 28 harta, certifikata familjare, dëshmi deputeti, dëftesa shkolle, licencë avokatie, karta postare, fotografi dhe negativ fotografish. Arkivi i Shtetit premton që brenda një kohe të shkurtër ky arkiv do të jetë i aksesueshëm për publikun e gjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA