Programi tre lëndë në gjashtë orë është i pazbatueshme për të paktën 33 mijë nxënësit e klasave kolektive. Mësimi në to vijon me metodën e vjetër, ndërsa ministria e Arsimit nuk ka gjetur një zgjidhje, por thonë se do punojnë për të eliminuar klasat ku janë bashkë nxënës të disa niveleve.
Për nxënësit e klasave kolektive në shkollën e Voskopojës, në Korçë, orari mësimor vazhdon të jetë ai klasiku, 6 lëndë në 6 orë ose 4 lëndë në 4 orë për ciklin e ulët.
“Ka ngarkesë orari, nuk i bashkojmë dot temat me njëra-tjetrën”, shprehet një mësuese.
Por, ministria e Arsimit tha se skema e re e shpërndarjes së orëve mësimore 3 lëndë në 6 orë do të zbatohet edhe në klasat kolektive. Zv ministrja e arsimit parauniversitar thotë se zbatimi i skemës ka nisur edhe në klasat kolektive, por me ritëm më të ngadaltë.
“Mësuesi ka shumë pak kohë që t’i kushtojë vëmendje nxënësve të klasave të ndryshme brenda klasës, kështu që me orët bllok fitohet shumë më shumë kohë”, thotë Besa Shahini.
Për t’iu përgjigjur nevojave të mësuesve, ministria e Arsimit parashikon mbylljen e klasave kolektive.
“Kemi plan që për 2018 të zvogëlojmë nr e nxënësve deri në 30% deri sa të mbyllim nr kryesor të tyre”, deklaroi Besa Shahini.
Më vendim qeverie transport falas përfitojnë 29 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues, me vlerë 612 milion lekë, në të gjithë vendin. Ndërsa, në vijim pjesë e kategorive që do përfitojnë transport falas do të jenë edhe 33 nxënësit e klasave kolektive, të cilët do të ndjekin mësimin në shkollën më të afërt me bashkëmoshatarët e tyre.
Top Channel