PD: Provat që Gjonaj kishte dijeni për hetimin e Seitit në Shqipëri

08/02/2018 12:19

Partia Demokratike disponon provat që ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj kishte dijeni në rrugë zyrtare se Nezar Seiti po hetohej në Shqipëri.

Partia Demokratike disponon provat që ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj kishte dijeni në rrugë zyrtare se Nezar Seiti po hetohej në Shqipëri.

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj u ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Gjykatës së Tiranës kërkesë për marrje informacioni për llogari të hetimit penal ndaj Nazer Seitit.

Dhe në përgjigjen e ministres që mban datën e sotme huhet se “në funksion të kërkesës suaj, nëse ka letërporosi nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda për llogari të hetimit penal ndaj Nazer Seitit, nuk rezulton të jetë sjellë ndonjë letërporosi nga Prokuroria e Përgjithshme apo Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë në Ministrinë e Drejtësisë”.

Por në fakt, Prokuroria e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, sipas dokumenteve që disponon PD, ka kërkuar së paku 2 letërporosi drejtuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. E para është në dt 18 tetor 2017 dhe e dyta në 7 nëntor 2017.

Të dyja letërporositë i referohen procedimit penal 134 të vitit 2016, që është dosja e përbashkët Tahiri-Habilaj-Seiti. Procedimi penal 134 për të cilin po hetohet Saimir Tahiri dhe Nezar Seiti, përmban veprat penale kultivim të bimëve narkotike, trafikim i narkotikëve në bashkëpunim, grup i strukturuar kriminal, korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë.

Dërgimi i letërporosive në Itali është bërë përkatësisht më shkresat dt 25.10 2017 dhe 20.11. 2017 dhe të dyja letërporositë janë firmosur nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

“Ky është fakti që provon katërcipërisht që Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj e dintë se Nezar Seiti po hetohej në Shqipëri dhe për shkak të nenit 491/c të Kodit të Procedurës Penale nuk duhej të ekstradonte Nezar Seitin”, thuhet në njoftimin e selisë blu.

Pikërisht në bazë të këtyre provave, deputeti Alibeaj tha se do të bënte kallëzim penal për shpërdorim detyre për ministren Etilda Gjonaj.

 

Top Channel