Në rrugën e aksidenteve; Në hyrje të Elbasanit, asnjë mbikalim për këmbësorët

08/02/2018 12:19

Në shtatë kilometër rrugë në aksin Bradashesh-Elbasan nuk ka asnjë mbi apo nënkalim për këmbësorët. E gjithë zona në hyrje të Elbasanit është shumë e populluar dhe me trafik të rënduar. Pak ditë më parë aty një grua humbi jetën ndërsa katër persona u lënduan në aksidente të ndryshme.

Violeta Stoceni, 48 vjeçe, doli nga shtëpia mëngjesin e së hënës për të shkuar në Njësinë Administrative ku do të bëntë rinovimin e ndihmës ekonomike, me të cilën ushqen dy fëmijët e saj. Por fatkeqësisht ajo nuk u kthye më, pasi një drejtues mjeti i papërgjegjshëm e përplasi në trotuar së bashku me dy persona të tjerë, edhe ata në gjendje të rëndë. Të tronditur familjarët kërkojnë drejtësi.

“Qeveria të marrë masa, unë nuk e lë me kaq”, u shpreh Lulzim Stoceni, bashkëshorti i Violetës.

“Me atë shpejtësi që kishte pasur ai… Qeveria të marrë masa ndaj këtyre njerëzve”, u shpreh Flutura Këmbaci, motra e viktimës.

Në të njëjtin aks rrugor, në të njëjtën ditë dhe pothuajse në të njëjtën orë këtu ndodhi edhe një tjetër aksident dhe dy persona të tjerë mbetën të plagosur. Por ndërsa do të jenë ekspertët ata që do të flasin për shkaqet e plota të këtyre aksidenteve, Top Channel bëri një vëzhgim mbi kushtet e kësaj rruge nga rrethrrotullimi i Bradasheshit e deri në hyrje të qytetit të Elbasanit.

Në një vështrim të parë qarkullimi në këtë aks rrugor është në kaos. Në rreth 7 km zonë të banuar këtu nuk ka mbikalime as nënkalime. Shpejtësia e lejuar dikton 60km/h, mungon ndriçimi dhe kalimtarë e automjete ndajnë të njëjtën rrugë.

Top Channel