Kërcënimi “internet” tek fëmijët. Linja 116 e ankesave: Kujdes nga pedofilët

08/02/2018 19:51

Në mbarë botën, 1 në 3 përdorues të internetit është fëmijë. Si rrjedhojë edhe në Shqipëri ky “trend” sjell problemet e veta.

Sipas ekspertëve në vend mungojnë mekanizmat për të parandaluar ekzpozimin e materialeve online të papërshtatshme për të miturit, si ato pornografike, dhunës apo radikalizmit.

Gjatë viteve të fundit rreth 1200 fëmijë kanë kërkuar ndihmë në linjë Alo 116.

“Rastet më të shumta që na janë referuar nga të miturit janë talljet online nga bashkëmoshatarë të tyre të cilët i montojnë foto ose video me epitete nga më të ndryshmet”, thotë Mirgit Vataj, drejtues i linjës Alo 116.

Sipas një anketimi një numër i konsiderueshem fëmijësh kanë pranuar se jane kontaktuar online nga persona të huaj ndaj kërkohet një vëmendje dhe kontroll më i madh i prindërve.

“Kemi dyshime të arsyeshme se dhomat e chatit online përdoren nga pedofilë për të joshur dhe realizuar qëllimin e tyre”, thotë Vataj.

Megjithëse së fundmi Kodi Penal për të miturit u përshtat sipas standardeve evropiane , eskpetët kërkojnë edhe shtimin e disa veprave penale për krimet online ndaj fëmijëve.

Top Channel