Ekstradimi i Seitit, Alibeaj-ministres Gjonaj: Kallëzim penal për ty, burgu të pret!

08/02/2018 10:22
Foto Arkiv

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeja deklaroi në Kuvend se do të depozitojë në prokurori kallëzim penal për shpërdorim detyre për ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, për ekstradimin e Nezar Seitit, i njohur si financieri i Habilajve.

“Sot do të depozitoj për ty kallëzim penal në prokurorinë për shpërdorim detyre për ty dhe bashkëpunëtorët e tu. Burgu 313 të pret!”, tha Alibeaj.

Në përgjigje të ministres së Drejtësisë për ekstradimin e Saimir Tahirit, deputeti Enkelejed Alibeaj tha se qëllimi i ekstradimit me shpejtësi të Nezar Seitit është se do të tregonte lidhjet me Saimir Tahirin.

“Prokuroria e Krimeve të Rënda e republikës së Shqipërisë heton Saimir Tahirin mbi të gjitha. Cila ishte goja që do të tregonte për lidhjet e Saimir Tahirit, për paratë e mara, dhe për lidhjet me këtë këtu. Hetimi, ndëshkimi nga drejtësia shqiptare do të bënte punën e vet, përkundrejt motivit që do të hetohej, gjykohej e dënohej në Shqipëri, do të fliste për interesin er drejtësisë shqiptare. Cili është interesi i drejtësisë shqiptare? Saimir Tahiri. Si i bëhet që askush të mos ketë të drejtën të pyes Nezar Seiti për Saimir Tahirin. Këtë ke bërë në Catania”, tha Alibeaj.

Më herët ai tha se ministrja e Drejtësisë në kundërshtim me ligjin, neni 481 i kodit të procedurës penale, që e ndalon ekstradimin e një personi nëse po hetohet nga autoritetet shqiptare.

Alibej thekson se Ministria e Drejtësisë ishte e detyruar të verifikonte nëse Nezar Seiti ishte apo jo nën hetim.

“Ligji ndalon këdo që të ekstradojë një shtetas kur prokuroria ka hapur një çështje hetimore. Nezar Seiti është pjesë kryesore e bandës Tahiri- Habilaj, bandë kriminale kjo për të cilën prokuroria shqiptare në 19 tetor 2017 e arrestoi pasi sekuestroi 4 tonelata drogë. Xhafaj vuri në zbatim skemën për ta degdisur në Itali. Ministrja pretendon se është Prokuroria e Përgjithshme që nuk e njoftoi se nuk mund ta ekstradonte. Ministria është vetëm 500 m larg nga burgu ku mbahej Siti, por edhe nga Krimet e Rënda, ndërsa nuk verifikoi, shkeli ligjin. E miratoi ekstradimin për 24 orë duke finalizuar skemën e firmosur nga Xhafaj. Ministrja e Drejtësisë zgjodhi të shkelë ligjin, miratoi ekstradimin. Nezar Seitin e degdise në shkelje të ligjit, por motivet i le këtu. Ai ishte i vetmi anëtar i bandës i rënë në rrjetën shqiptare. Habilajt në Itali, 3 shefat e policisë në arrati me mbrojtjen e Ramës, Tahiri në Parlament, Nezari ishte i vetmi që mund të fliste. Seiti do të fliste për paratë, për eurot me të cilat u blenë gjerdanët për familjarët e Tahirit dhe 20 mln euro që kaluan nga Seiti në duart e Tahirit, që Rama të blinte zgjedhjet. Te 313 ka një qeli që është lënë bosh, e vetme ajo qeli nuk iu mban të gjithëve. Por nuk qëndron arsyeja. Në gjithë këtë histori mes hajdutësh e kriminelësh, ku e fusni veten? Është momenti që të pendoheni. Në burgun 313 ka një qeli që është lënë bosh, e vetme ajo nuk ua mban të gjithëve”, u shpreh Alibeaj.

Top Channel