Përplasja e rezolutave për Jeruzalemin në Kuvendin e Shqipërisë u mbyll ashtu siç edhe pritej. Mazhoranca miratoi rezolutën e propozuar nga ajo vetë dhe rrëzoi atë të Partisë Demokratike.

Partia Socialiste paraqiti rezolutën e saj për votën e Shqipërisë mbi statusin e Jeruzalemit, ku i kërkon Qeverisë që në përputhje me interesin kombëtar të vijojë të bashkëpunojë për forcimin e paqes, sigurisë, dhe bashkëpunimit në të tërë rajonin e Lindjes së Mesme, me aleatët dhe partnerët strategjikë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.

Partia Demokratike tha nga ana tjetër se projektrezoluta e dorëzuar prej saj në Kuvend për çështjen e Jeruzalemit dhe votës së Shqipërisë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në dhjetor, lindi si domosdoshmëri e mungesës së konsultimit të Ministrisë së Jashtme me pushtetin ligjvënës.

“Në këtë frymë mungese bashkëpunimi dhe konsultimi ishte edhe qëndrimi i mbajtur nga Shqipëria në Stamboll më 13 dhjetor në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik lidhur me statusin e Jeruzalemit”, thuhet në projektrezolutën e demokratëve.

Opozita deklaron se kjo ka shkaktuar “sulme të padrejta e të padobishme ndaj Shteteve të Bashkuara” e për këtë propozoi që të anulohet vota në OKB nga ana e Parlamentit.

“Kuvendi duhet menjëherë të distancohet dhe të kërkojë nga Qeveria që të ndërmarrë hapat e nevojshme për rregullimin e kësaj situate”, thuhej në projektrezolutë e rrëzuar.

Top Channel