Banesat sociale në bashkinë e Fierit, në të cilat banojnë invalidë, gra kryefamiljare, apo persona në nevojë janë jashtë çdo standardi punimesh. Pas çdo reshje shiu, nëpër tubacionet kryesore të ujërave, por edhe nga dritaret dhe ballkonet shiu futet nëpër shtëpi, duke qenë një ankth i përhershëm.

“Punimet janë jashtëzakonisht të dobëta. E gjithë shtëpia na u mbush me ujë”, shprehet një banore.

Altin Zonja është një tjetër prej tyre. I verbër, me dy fëmijë, dhe një grua të papunë, ai thotë se paguan 200 mijë lekë të vjetra në muaj për shtëpinë, lekë të cilët i heq nga pagesa e kempit.

“Paguaj 200 mijë në muaj kredi. Gjatë natës ishte mbushur me ujë, gjë që ka ndodhur edhe herë të tjera. Unë zgjova nusen, pasi unë nuk shoh”, shprehet Altin Zonja.

Bashkëshortja e Altinit, thotë se mes vështirësive arrijnë të shtyjnë muajin, ndërsa tregon se edhe fëmijët nuk ia pranuan në kopsht, nëse nuk kryen pagesën mujore.

“Jetojmë shumë në vështirësi. Jetesa është e papërballueshme. Në orën 2 të natës shtëpia na u mbush me ujë”, shprehet bashkëshortja e Altinit.

Dy pallate, nga 35 hyrje secili janë ndërtuar dhe shpërndarë nga enti i banesave në Fier. Përfituesit kanë marrë shtëpitë falë një sistemi pikëzimi dhe paguajnë këstet mujore për banesat çdo muaj. Këto të fundit janë me kosto të ulët, duke qenë se sipërfaqja e tokës nuk është paguar nga ana e Entit të Banesave, pasi ka qenë tokë shtet, e vendosur në dispozicion nga bashkia e Fierit për ngritjen e këtyre pallateve.

Top Channel