Artistët e skenës dhe ekranit shqiptar refuzojnë vendimin e Ministrisë së Kulturës për t’u zhvendosur nga skena e Teatrit Kombëtar në skenën e Teatrit ‘Turbina’.
74 prej tyre hartuan një peticion ku ftojnë në një takim të hapur ministren e Kulturës për të qenë pjesë e vendimmarrjes në hartimin e ndryshimeve në ligj.
“Teatri ekzistues sot është pronë e jona, e juaja edhe e artistëve të vjetër. Këtu po bëhen xhamia, këtu po bëhen kisha, xhamia dhe kisha e shqiptarëve është teatri. Ne nuk duhet ta lejojmë të prishet ai teatër pa marrë vesh se çfarë do të bëhet në të”, tha Robert Ndrenika.
“Ata na trajtojnë si skllevër! Ne nuk jemi skllevër! Jemi vlerë kombëtare”, deklaroi Mehdi Malkja.
“Ne kërkojmë të anulohet vendimi për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar e të bëhet transparenca e plotë e projektit të ndërtimit të Teatrit të Ri. Të pezullohet projektligji e të hapet dialogu me përfaqësues të komunitetit për një projektligj tjetër. Kërkojmë një takim të hapur në sallën e Teatrit Kombëtar brenda javës së ardhshme”, u shpreh Laert Vasili.
Veç kësaj, artistët vijojnë të kundërshtojnë fort edhe projektligjin e ri “Për artin dhe kulturën”, i cili sipas tyre synon t’i japë më shume pushtet ministres së Kulturës duke centralizuar çdo projekt në duart e Ministrisë.
“Unë e kuptoj si vrasje të pluralizmit kulturor. Është njësoj sikur nesër të çohet qeveria e të vendosë bustin e Enver Hoxhës në qendër të Tiranës. Kjo është ajo që po ndodh me këtë ligj. E centralizon në mënyrë përfundimtare”, deklaron Altin Basha.
Nëse kërkesa e tyre do të bjerë në vesh të shurdhër, artistët thonë se do të përshkallëzojnë masat, duke nisur me protesta masive, e nëse do të jetë e nevojshme, ata do të bojkotojnë shfaqjet në Teatrin Kombëtar.
“Do ta ngremë presionin shumë lart, në rolin e protestave nëpërmjet shfrytëzimit të të gjitha institucioneve: Parlamentit, Kryeministrisë, Presidencës, të ftojmë shoqërinë civile të ngremë një valë të madhe kundër kësaj arrogance”, shton Neritan Liçaj.
Top Channel