Akuzat ndaj Xhikës: Shmangu Bordin dhe mori 35 mln dollarë pa një studim

08/02/2018 21:22

Në Gjykatën për Krimet e Rënda ka nisur procesi ndaj ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika dhe vartësve të tij.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha zbardhi tek “Të Paekspozuarit” këtë të enjte disa pika kyçe të dosjes së Prokurorisë kundër tij.

Së pari, Dashamir Xhika dyshohet se ka shkelur ligjin duke shmangur Bordin e Autoritetit Rrugor në ndryshimin e një kontrate të firmosur në vitin 2011 për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Së dyti, Xhika dyshohet gjithashtu se së bashku me dy vartësit e tij kanë kërkuar fonde shtesë për rrugën Tiranë-Elbasan pa patur një studim nga institucionet e caktuara. Kërkesa është bërë dy herë, një herë për 35 milionë dollarë dhe në rastin e dytë disa miliona të tjerë.

Lidhur me këtë është në verifikim edhe ish-ministri Edmond Haxhinasto, që do të thërritet nga prokurorët si person që ka dijeni.

Top Channel