Në radhë për hipotekën, bashkimi me legalizimet shton zvarritjet

07/02/2018 13:39

Në ambientet e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Berat, gjen gjithmonë radhë qytetarësh.

Megjithëse ky institucion e ka përmirësuar disi shërbimin me ardhjen e drejtorit të ri gjashte muaj më parë, qindra qytetarë prej vitesh ende nuk kanë gjetur zgjidhjen e problemeve me pronën e tyre. Zvarritrjet burokratike kanë vonuar marrjen e certifikatës së pronësisë si në rastin e kësaj banoreje.

Drejtori i ZVRPP-së së Beratit, Robert Poçi thotë se kur ka marrë detyrën ka gjetur një mal me dosje që prisnin për verifikim e që janë shqyrtuar ose janë në proces ende.

Por sipas tij situata mund të rëndohet sërish dhe të krijohet jo pak amulli nga projekti për bashkimin e dy institucioneve, ZRPP-se dhe Aluzinit.

“Bashkimi i dy sistemeve është akoma shumë shpejt për tu bërë. Në momentin që të përfundojë gjithë procesi i legalizimit, atëherë mund të bashkohet të dyja institucionet. VKM 994 për mendimin tim duhet të zhbëhet. Sepse më tepër është ngarkuar procedura burokratike dhe qytetarët më shumë po sorollaten për shkak të këtij vendimi”, thotë Robert Poçi, drejtori i ZVRPP-së Berat.

Top Channel