Top Show/ Brukseli mblidhet për Ballkanin. A ka sinjale për integrimin e Shqipërisë dhe Kosovës?

06/02/2018 23:04

Klajda Gjosha deklaroi në studion e “Top Show” se “deklarata e Bashkimit Europian përsa i përket Shqipërisë ishte me gjuhë evazive dhe ngre pikëpyetje, pasi Shqipëria ende nuk ka plotësuar kushtin kryesor: reformën në drejtësi dhe vetting-un.

“Risia në këtë dokument të BE-së është vendosja e një afati konkret, siç është viti 2025. Sigurisht që do të kërkohen kushte për t’u plotësuar. Momenti i hapjes së negociatave do të sjellë një monitorim të shumëfishtë dhe Shqipëria ka nevojë për një monitorim të rreptë. Përsa i përket Shqipërisë, për fat të keq duhet të themi se Shqipëria e ka humbur trenin e vitit 2025”, tha Gjosha.

“Deklarata e BE-së përsa i përket Shqipërisë ishte me gjuhë evazive dhe ngre pikëpyetje, pasi Shqipëria ende nuk ka plotësuar kushtin kryesor, reformën në drejtësi dhe vetting-un. Megjithatë, do të shikohet për këtë në muajin prill. Ajo çka është e rëndësishme është se duhet një punë e madhe, si nga qeveria, ashtu edhe nga mazhoranca. Duhet krijuar një imazh ndryshe për Shqipërinë sepse deri tani nuk është ai i duhuri. Duhet zbatim me rigorizitet i detyrave dhe jo “show” nga ana e qeverisë”, shtoi Gjosha.

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi tha se “Serbia ishte shumë më mbrapa Shqipërisë sepse erdhi nga lufta, ndërsa sot është para Shqipërisë”.

“Neve na duhet një marrëveshje e madhe politike për avancimin tonë. Më pas, ecuria varet nga çdo vend. Ne duhet ta shohim BE-në si standard për shtetin ligjor, drejtësinë dhe konkurrencën”, u shpreh Idrizi.

Ndërsa Spartak Ngjela mendon se Shqipëria është në vend të parë për të hyrë në BE.

“BE nuk është entitet juridik, por politik. Sipas meje, Shqipëria është në vend të parë për të hyrë në BE. Perëndimi është Uashington dhe Bruksel. Aktualisht, Shqipëria është partneri më i madh i Uashingtonit në zonë. Ka shenja politike që loja po luhet për shqiptarët. Futja në rang të parë e Serbisë bllokon agresionin kundër Kosovës. I është thënë Serbisë që je në prag dhe lësho Kosovën. Duke u nisur nga kjo, përparësia është e shqiptarëve”, shpjegoi Ngjela.

Top Channel