Tërmeti në bursa, rënia këtë herë tregon gjendjen e mirë të ekonomisë

06/02/2018 15:21

Tregjet botërore janë janë në rënie të lirë. Pas rënies rekord një ditë më parë të bursave amerikane, të njëjtin trend kanë ndjekur edhe tregjet financiare të Europës dhe ato aziatike. Bursat e Londrës, Parisit e Frankfurtit u çelën që të gjitha me humbje, që mbërrinin deri në 3%, përpara se të rikuperonin disi me kalimin e orëve, ndërsa para tyre, indeksi japonez “Nikkei 225” pësoi humbjen më të madhe të pikëve brenda një dite, që prej vitit 1990.

Rënia rekord e bursave anembanë globit ka ngritur sërish ankthin e një tjetër krize të ekonomisë botërore, si ajo e vitit 2008. Edhe në atë kohë, kriza nisi si panik i tregjeve financiare, por më pas u shndërrua në depresionin më të madh ekonomik në gati 100 vite, duke zhytur thuajse të gjithë botën në recesion dhe duke goditur fort edhe ekonominë shqiptare.

Por, a është rënia e fundit e tregjeve, sinjali për një tjetër krizë? Për shumë ekspertë dhe analistë ndërkombëtarë, jo!

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia botërore po përjeton momentin më të mirë në më shumë se një dekadë. Madje, vetëm një muaj më parë, FMN-ja e rishikoi për lart shifrën e rritjes ekonomike globale për këtë vit dhe vitin e ardhshëm, nga 3.7 për qind në 3.9 për qind.

Forcimi i rritjes ekonomike ka përmirësuar edhe tregjet e punës. Sipas statistikave zyrtare të FMN-së, papunësia në nivel botëror ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 2008, e së fundmi, pas disa vitesh stanjacioni, pagat në ekonomitë e zhvilluara kanë filluar të rriten sërish.

Sado paradoks të tingëllojë, shkaku i rënies së fortë të bursave është momenti i mirë i ekonomisë reale. Rritja e pagave në Shtetet e Bashkuara ka ngritur mes investitorëve shqetësimin se Rezerva Federale do të rrisë normën e interesit, ndërsa Banka Qendrore Europiane do të ulë injektimin e parave në treg, për shkak se ekonomia e Eurozonës po ecën mbi pritshmëritë.

Për shkak të këtyre pritshmërive, investitorët kanë nisur të shesin asetet financiare, duke shkaktuar edhe rënien e bursave. Sipas ekspertëve, rënia e bursave nuk e rrezikon ekonominë e botës. Përkundrazi, ajo është dëshmi se rimëkëmbja e ekonomisë vazhdon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA