Ministria merr “filmin”. Tjetër ndryshim për ligjin e artit dhe kulturës

06/02/2018 20:11

Publikimi i një projektligji në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës, ku parashikohet ndryshimi i ligjit ekzistues për Artin dhe Kulturën për herë të dytë, pas miratimit në vitin 2010 të këtij ligji dhe ndryshimit të tij në vitin 2014, ka ngjallur reagime në grupet e interesit, veçanërisht në komunitetin e kinematografisë.

Kineastë, regjisorë, producentë dhe aktorë u mblodhën këtë të martë në sallën “Black Box” të Universitetit të Arteve, në një takim me dyer të mbyllura, pa prezencën e medias. Në një deklaratë ata thonë se “Ligji për kinematografinë, i hartuar dhe miratuar bazuar në eksperiencat më të mira evropiane në vitin 1996, ka krijuar skemën më demokratike dhe bashkëkohore të prodhimit të veprave kinematografike, ndaj vlerësohet e papranueshme që sot, në vitin 2018 të bëhen hapa mbrapa dhe të preket themeli i mekanizmit të funksionimit të kinematografisë shqiptare”.

Kineastët thonë se kundërshtojnë në themel iniciativat e ndërmarra, pasi konstatojnë asgjësimin e parimeve bazë mbi të cilat funksionon kinematografia shqiptare.

“Projektvendime të tilla minojnë skemën bazë me të cilën funksionon konkurrimi i lirë dhe përzgjedhja e projekteve, format i miratuar gjerësisht nga kineastët, i cili gëzon mbështetjen e tyre më të gjerë”, vijon deklarata.

Deri më tani, Qendra Kombëtare e Kinematografisë funksionon si një institucion i pavarur, ku miratimi i projekteve kryhet përmes Këshillit të Miratimit të Projekteve. Duke u bërë pjesë e institucioneve në varësi të Ministrisë së Kulturës, projektet kinematografike do të shqyrtohen nga Bordi Artistik, një organ kolegjial vendimmarrës pranë Ministrisë së Kulturës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA