Kontrollet për ujin në Vlorë, i lartë numri i lidhjeve të paligjshme

06/02/2018 12:20

Në kuadër të aksionit të madh, pjesë e reformës së ujit, Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime, është përqendruar në pikat e karburantit në qytetin e Vlorës, të cilat kanë edhe aktivitete si lavazhe.

Në këto kontrolle është bashkëpunuar edhe me drejtorinë e higjienës, ku është realizuar marrja e mostrave të ujit, me qëllim për të parë nëse ka abuzim apo jo. Kontrollet kanë qenë të përqendruara në kontrollin e situatës për lidhje të paligjshme dhe abuzive, ndërsa janë mbajtur edhe akt-konstatimet përkatëse.

Për bizneset që abuzojnë do të kërkohet edhe ndihma e organeve të tjera si tatimet, policisë, apo edhe prokurorisë. Drejtori i ujësjellës kanalizime, Dorian Xhelili, deklaroi se kontrollet do të vijojnë edhe në pjesën e karburanteve dhe lavazheve, ku në mënyrë të veçantë kontrollohet edhe se si këto subjekte furnizohen me ujë të pijshëm, ndërsa shkohet edhe situata e kontatorëve matës.

Ndërkaq, ujësjellës kanalizime vijon aksionin edhe në zona të tjera të qytetit të Vlorës, nga qendra në periferi, në zonën bregdetare të Radhimës dhe Orikumit dhe në njësitë administrative.

Drejtori i ujësjellës kanalizime Dorian Xhelili, deklaron se nuk do të ketë kthim pas në këtë aksion, ndërsa janë evidentuar edhe disa raste abuzive. Për shkeljet do të ketë referime edhe në organin e akuzës.

Top Channel