Jashtë BE-së deri në 2025. Serbia dhe Mali i Zi, para Shqipërisë

06/02/2018 19:52

Pas 15 vitesh, Bashkimi Europian publikon një strategji të re zgjerimi, me të cilën synon të ndezë një garë vrapimi për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, që sot janë në stade të ndryshme të përafrimit me BE-në.

Qëndron viti 2025, si një pritshmëri për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi, dy vendet që kanë hapur negociatat e anëtarësimit. Por, përfaqësuesit e lartë europianë u kujdesën të theksojnë se 2025-a nuk është afat zyrtar anëtarësimi për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ka pasur shumë diskutime lidhur me vitin 2025. Nuk është një afat i caktuar, një ‘deadline’, por është thjesht një perspektivë, një perspektivë realiste për të përfunduar procesin e anëtarësimit. Muajt në vazhdim do të jenë muaj të një pike kthese. Po bëjmë një punë përgatitore për t’u zgjeruar. Le ta bëjmë që të ndodhë, t’i sjellim vendet e Ballkanit brenda unionit, jo në të ardhmen e largët, por brenda këtij brezi”, tha Federica Mogherini, shefe e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në BE.

Janë 6 fusha të evidentuara në strategji. Theksi më i fortë është shteti ligjor dhe zero konflikte me fqinjët. Ndërsa dera mbahet e hapur, kontrolli për të hyrë drejt saj është në të njëjtën masë vigjilence për të 6-a vendet aspirante.

“Dera e BE-së është e hapur, por duhen trajtuar çështjet e mbetura pezull, përfshirë konfliktet rajonale. Nuk po flasim për zbutje të kushteve tona, kushtet janë në tryezë dhe duhen përmbushur. Detyrat e shtëpisë duhen bërë”, tha Johannes Hahn, Komisioner i BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë.

Nëse gjithçka shkon mirë, në bazë të kësaj strategjie pritet që Komisioni Europian të rekomandojë në prilll hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë.

Romana Vlahutin, shefe e delegacionit të BE-së në Tiranë, nuk foli për skepticizmin e vendeve anëtare, por evidentoi avantazhin e Shqipërisë karshi vendeve të rajonit, ende pa iu hapur negociatat e anëtarësimit. Ky avantazh është fituar në kapitujt më të rëndësishëm të negociatave, për shkak të miratimti të Reformës në Drejtësi.

“Pra mund t’i hapësh të gjithë kapitujt, por nuk mund të mbyllësh asnjë, nëse nuk ka progres në vendosjen e shtetit ligjor. Nëse Shqipëria do të ketë të njëjtin fokus, do të jetë e mundur që të kapë me shpejtësi vendet e tjera që aktualisht po negociojnë me BE-në, sapo të nisë negociimin. Hapja e negociatave nuk është dhuratë. Është një punë e fortë, veçanërisht për qeverinë. BE-ja do të ketë më shumë mundësi ta monitorojë nga afër procesin në çdo detaj. Duhet përdorur ky rast me konstruktivitet nga të dyja palët, edhe nga opozita. Na duhet më shumë përkushtim, më shumë punë, por do të thoja edhe më shumë dashuri”, tha Romana Vlahutin.

Zonja Vlahutin dhe ambasadorët e vendeve anëtare e ndoqën nga Tirana komunkimin e Komisionerit për Zgjerimin dhe shefes së diplomacisë europiane. Ndërsa kryeministri Rama reagoi në mënyrë optimiste në “Twitter”, duke mirëpritur strategjinë.

“Negociatat, më afër se kurrë. Pastaj gjithçka do të varet nga fuqia e vrapimit tonë”, thotë kryeministri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA