Federata Shqiptare e Peshëngritjes do të zhvillojë më 5 prill Asamblenë e Jashtëzakonshme.
Ky është vendimi i marrë nga Komiteti Drejtues i këtij institucioni, që shqyrtoi kërkesën e disa prej klubeve për zgjedhje të reja, përjashtimin e të gjithë anëtarëve të Komitetit Drejtues dhe zëvendësimin e tyre me anëtarë të rinj.
Sekretari i përgjithshëm i FSHP-së, Agron Haxhihyseni konfirmoi vetëm mbajtjen e Asamblesë.
“Komiteti Drejtues i FSHP-së, në mbledhjen urgjente të zhvilluar shqyrtoi kërkesën e bërë nga disa klube. Ai vendosi në mënyrë unanime mbajtjen e Asamblesë së Përgjithshme të Jashtëzakonshme më 5 prill, ndërkohë që dy kërkesat e tjera nuk pranohen, se bien ndesh me Statutin e Federatës”, tha Agron Haxhihyseni.
Asambleja e Jashtëzakonshme e FSHP-së mbahet pas dorëheqjes së presidentit Elez Gjoza, pas rezultateve pozitive në testet antidoping të Romela Begajt në Botërorin e Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, FSHP-ja vendosi edhe shtyrjen e Kupës së Shqipërisë, e parashikuar për më 16 shkurt, pasi ende nuk është përcaktuar data e Kampionatit Europian të Peshëngritjes.
Top Channel