Aktorët mbjellin pemë në parkun e Liqenit, Veliaj: Amfiteatri, gati shumë shpejt

06/02/2018 12:06

Aktorët e shfaqjes së suksesshme “Nata e Dymbëdhjetë” e Uilliam Shekspirit, e cila u vu në skenë në Teatrin e Metropolit, por edhe drejtoresha e Teatrit, Jonida Beqo, aktorët e mirënjohur të filmit dhe skenës, Marjeta Ljarja dhe Gaz Paja, iu bashkuan kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të mbjellë 45 pemë mimozash në Parkun e Liqenit Artificial.

Kryebashkiaku Veliaj i falenderoi ata për kontributin dhe theksoi se mimozat e mbjella i japin parkut më shumë gjelbërim dhe qytetit më shumë frymëmarrje.

“U jam shumë mirënjohës sot të gjithë artistëve, atyre që janë ikonë e skenës shqiptare, por edhe artistëve të rinj, gjithë trupës së shfaqjes “Nata Dymbëdhjetë” të Teatrit të Metropolit, pedagogë e studentë të Arteve, që na u bashkuan sot për të mbjellë 45 mimoza në Parkun e Liqenit. Është shumë e rëndësishme t’i kthejmë natyrës atë që dëmtohet. Ngricat e vjetshme na dëmtuan një parcelë të madhe me mimoza në park, ndaj 45 artistë sot mbollën 45 mimoza dhe ndihem shumë mirë për këtë”, u shpreh ai.

Aktorja e njohur e teatrit dhe filmit shqiptar, Marjeta Ljarja vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës dhe u shpreh se mbjellja e një peme sot, i shërben të nesërmes. “E kam pritur me shumë kënaqësi këtë nismë dhe vërtetë duket e vogël kështu në dukje, por është një mrekulli për sot dhe për nesër. Jam me atë që le ta fillojmë me gjëra të bukura, të thjeshta në dukje, largohemi edhe nga kjo trazira e madhe politike”, tha aktorja Ljarja.

Aktori i humorit, Gazmend Paja theksoi se nuk ka gjë më të mirë për të ardhmen e qytetit nesër se sa të mbjellësh një pemë sot. “Nuk ka kënaqësi më të madhe se të ngrihesh në mëngjes dhe puna e parë është të mbjellësh një pemë, që do jetë jetë nesër. Ne po shijojmë kënaqësinë e mëngjesit dhe kontributin që po japim për një pemë, por ajo ka më shumë vlera se ky mëngjes dhe se kjo që po bëjmë tani. Mirënjohje për të gjithë ata që ndihmojnë, për ty Lali Eri dhe për të gjithë njerëzit që kontribuojnë për Tiranën dhe Shqipërinë tonë!”, tha Paja.

Së fundi, Veliaj dha një lajm të mirë për artistët dhe qytetarët artdashës. Ai shtoi se shumë shpejt do të jetë gati edhe teatri i hapur në amfiteatrin e Parkut të Liqenit. “Lajmi i mirë është që për pak javë mbaron amfiteatri, i cili do të jetë një tjetër skenë në natyrë. Uroj të kesh takat dhe ta mbushësh të gjithë parkun!”, u shpreh Veliaj, duke iu drejtuar në mënyrë të veçantë aktorit, Gazmend Paja.

 

 

Top Channel