Nuk u dorëzua para xhihadistëve, piloti rus shpallet hero

05/02/2018 16:45

Mediet ruse e kanë quajtur hero, pilotin që u vra në Siri, pasi raportohet se ai vrau veten me një granatë që të mos binte në duart e xhihadistëve që rrëzuan avionin e tij.

Sipas medieve, fjalët e fundit të pilotit Roman Filipov, para se të shpërthente granatën, ishin: Ja edhe një për shokët!

Avioni i tij i modelit “Sukhoi 25” u godit ndërsa fluturonte mbi provincën Idlib, e cila kontrollohet nga rebelët. Ai i mbijetoi katapultimit nga avioni, por i gjendur pa rrugëdalje, pas një beteje të armatosur me xhihadistët vrau veten.

Mediet ruse raportojnë se Ministria e Mbrojtjes i akordoi pilotit Filipov “medaljen e heroit” të Rusisë, që gjithashtu njihet si “Ylli i Artë”.

Rrëzimi i avionit u mor përsipër nga grupi “Hayat Tahrir al-Sham”, ish-bashkëpunëtorë të al-Qaedës.

Analistët thonë se kjo është hera e parë, që rebelët rrëzojnë një avion rus, që kur Moska u angazhua në luftime në shtator të vitit 2015, duke i kthyer fatin luftës.

Provinca e Idlibit duhej të ishte një zonë uljeje tensioni sipas marrëveshjes mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit. Por luftimet u ashpërsuan në nëntor, duke u pasuar në dhjetor nga ofensiva e qeverisë siriane, e mbështetur nga Moska.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA