Kriza politike në Maldive, shpallet gjendja e emergjencës

05/02/2018 19:39

Keni parashikuar të kaloni pushimet në Maldive sivjet? Mendohuni dy herë para se të niseni, pasi ndoshta nuk është koha e përshtatshme për të shkuar atje.

Qeveria e Maldiveve ka shpallur gjendjen e emergjencës për 15 ditë, mes krizës politike në shtetin ishullor.

Gjendja e emergjencës u jep zyrtarëve të sigurisë fuqi shtesë për të arrestuar të dyshuarit.

Qeveria e ka pezulluar tashmë Parlamentin dhe ka urdhëruar ushtrinë t’i rezistojë çdo lëvizjeje të Gjykatës Supreme për të rrëzuar presidentin Abdulla Yameen.

“Vetëm pak orë pas shpalljes së gjendjes së emergjencës, forcat e sigurisë mësynë Gjykatën Supreme”, thotë një zëdhënës i kësaj gjykate. Brenda godinës pati gjykatës, por zëdhënësi shton se nuk ka mundur të kontaktojë me ta.

Gjykata kishte urdhëruar rikthimin e mandateve të 12 deputetëve, gjë që do të bënte që opozita të siguronte shumicën parlamentare.

Në një vendimmarrje historike, ajo vendosi gjithashtu se gjykimi i ish-presidentit Mohamed Nasheed ishte antikushtetues.

Pas vendimit të Gjykatës Supreme, të premten e kaluar, qeveria shkarkoi kreun e policisë, i cili kishte garantuar zbatimin e vendimit gjyqësor. Ekzekutivi urdhëroi gjithashtu burgosjen e dy deputetëve të opozitës, që ishin rikthyer në Maldive, e paralajmëruan se çdo urdhërarrest gjyqësor ndaj presidentit për mosbashkëpunim me Supremen do të ishte i paligjshëm.

Megjithatë, deputetja e opozitës, Eva Abdulla tha përmes një deklarate se gjendja e emergjencës ishte një “lëvizje nga dëshpërimi” që tregon se qeveria ka humbur gjithçka, “përfshi besimin e popullit dhe atë ndaj institucioneve”.

Nasheed, i ndodhur aktualisht në Sri Lanka, ishte udhëheqësi i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike i shtetit ishull.

Maldivet janë prekur nga trazirat politike që kur ai u dënua në vitin 2015, mbi bazën e ligjeve antiterrorizëm, për shkak se kishte urdhëruar arrestimin e një gjykatësi. Dënimi i tij me 13 vite burg u dënua ndërkombëtarisht dhe atij iu ofrua azil politik në Britaninë e Madhe.

Në Maldive, gjendja e emergjencës u shpall edhe në nëntor të atij viti, pasi qeveria tha se po hetonte një komplot për vrasjen e Yameen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA