Finalja e “Super Bowl”-it, sfidë mes rekordeve e mallkimeve

05/02/2018 11:30

Finalja e “Super Bowl”-it, e zhvilluar në Minneapolis, ishte sfida e rekordeve për National League. Në total u regjistruan 1.151 “yard”-ë për pasime, shifër kjo që nuk ishte arritur kurrë më parë në ndonjë ndeshje të NFL-së.

Të dyja skuadrat shënuan 74 pikë, shifra e dytë më e lartë në historinë e ndeshjeve të “Super Bowl”-it. Në librin e statistikave shënohet edhe emri i skuadrës së Philadelphias, që bëhet qyteti i pestë pas New Yorkut, Bostonit, Chicagos dhe Los Angelesit, që kanë fituar të paktën një titull në 4 sportet e rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara.

Ndërsa Philadelphia festoi, Tom Brady u desh të përballej jo vetëm me trishtimin se humbi titullin e 6 në NFL, por edhe me mallkimin “MVP”.

“Quarterback”-u i New England u shpall “Lojtari më i mirë i sezonit”, një çmim ky që nuk i solli aspak fat në finalen e së dielës. Statistikat treguan se, që nga viti 1999, asnjë prej lojtarëve të NFL-së të shpallur si “MVP” të sezonit nuk e kanë fituar finalen e “Super Bowl”-it.

Të gjithë menduan se ky do të ishte viti i prishjes së këtij mallkimi, por “Eagles”-at ia mohuan festën lojtarit më të mirë të të gjitha kohërave në NFL.

I fundit që arriti të bëjë “dopietën” duke fituar çmimin “MVP” dhe finalen e “Super Bowl”-it ishte Kurt Warner me Saint Louis Rams.

Historitë e hidhura për Bradyn nuk mbyllen këtu. 40-vjeçari nuk pati nga pas vetëm mallkimin “MVP”, por edhe atë “Madden”. Me sa duket, edhe të qenit imazhi i kopertinës së një videoloje të famshme nuk sjell fat.

Këtë vit i takoi Bradyt të ndiejë këtë fat të keq, pasi e mbylli sfidën duke humbur topin në sulmin vendimtar të takimit. Gjithsesi, Brady do të ketë mundësinë për të realizuar revanshin, duke qenë se ai e ka konfirmuar se do të luajë edhe sezonin e ardhshëm në National Football League.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA