Luigi Di Biagio do të jetë trajneri i përfaqësueses italiane deri në muajin qershor. Ky është vendimi i marrë nga Federata italiane e Futbollit (FIGC), pas një takimi të zhvilluar mes Di Biagios, që do të qëndrojë edhe në pankinën e përfaqësueses U21, presidentit të komanduar Fabbricini dhe zëvendësit të tij, Alessandro Costacurta.
Ky është hapi i parë i ndërmarë nga “qeveria” e futbollit të vendit të Apenineve, që prej 3 muajsh priste emërimin e teknikut të ri të “të kaltërve”.
Di Biagio do të ketë mundësinë që të drejtojë Italinë në dy sfida luksi, që do të luhen më 23 dhe 27 mars, pikërisht ndaj Argjentinës dhe Anglisë.
Për sa u përket kandidatëve për pankinën e Italisë për periudhën 2018-2020 është për t’u parë disponueshmëria e tyre, kjo për faktin se disa prej emrave që përmenden janë nën kontratë me klubet e tyre respektive, siç është rasti i Antonio Contes apo Roberto Mancinit.
Prej javësh, në media është përmendur edhe emri i Ancelottit, i cili pas shkarkimit nga Bayern Munchen nuk ka marrë drejtimin e asnjë skuadre. Problemi qëndron se 58-vjeçari e ka përjashtuar veten e tij nga kjo garë për stolin e 4 herë kampionëve të Botës.
Në të njëjtën kohë janë përmendur edhe emrat e Ranierit e të Prandellit, megjithatë duket se në Federatën italiane të Futbollit, askush nuk e ka me ngut përcaktimin e trajnerit të ri, pasi të gjithë duan të presin fundin e sezonit, e në të njëjtën kohë të shohin dhe punën e Di Biagios.
Top Channel