Përveç marrëveshjes për “Detin”, në një interpelancën e kërkuar përmes Platformës së Bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al” nga një grup studentësh të ekselencës, ministri Bushati foli edhe për ligjin e luftës me Greqinë dhe çështjen çame.

Heqja e ligjit të luftës për ministrin e Jashtëm Bushati do të ndihmonte në fitimin e të drejtës së pronësisë tek ata persona që ishte vendosur sekuestro.

“Për herë të parë një qeveri greke e pranon zyrtarisht që kjo gjendje lufte është relike e së kaluarës që duhet të shfuqizohet. Kemi kërkuar që ligji i luftës, apo dekreti mbretëror që sanksionoi regjimin e luftës ndaj Shqipërisë dhe vuri në sekuestro konservative një pjesë të mirë të pronave të shtetit shqiptar, shtetasve shqiptarë, të qytetarëve shqiptar me kombësi greke, duhet të shfuqizohet me një akt po të njëvlefshëm që ka të njëjtën fuqi ligjore në sistemin juridik grek. Ky akt nuk mund të ishte kursesi një kontratë e dyanshme. Përmes këtij procesi do të kemi situatë të re politike ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë sikundër do u jepet mundësia të tre kategorive ti drejtohen instancave greke për të fituar të drejtën e pronësisë. Do të kemi një çlirim jo thjesht psikologjik po dhe mundësinë që këto tre kategori të përfitojnë të drejtën pronësore siç i takon”, tha Bushati.

Ndërsa për çështjen çame, Bushati tha se për herë të parë ka shkëmbim të dhënash mes dy shteteve në rast se refuzohet kalimi për shtetasit çam.

“Dua të them që qeveria Rama është e para që zyrtarisht në programin qeveritar, e përfshiu këtë çështje si pjesë te dosjes diplomatike. Në këtë çështje të dytë më vjen mirë të deklaroj se me qeverinë greke jemi në një pozicion më të favorshëm se para disa vitesh, sepse ka filluar shkëmbimi i të dhënave, apo informacionit për rastet kur i refuzohet hyrja në territorin grek të qytetarëve shqiptarë që janë pjesë e komunitetit çam”, tha ministri.

Top Channel