Super Bowl, New England kërkon titullin e gjashtë

04/02/2018 12:32

“US Bank Stadium” i Mineapolisit do të presë sot në mbrëmje finalen e shumëpritur të National Football League, Super Bowl LII, mes New England Patriots dhe Philadelphia Eagles.

Skuadra e Patriots do të luajë këtë finale për të dytin vit radhazi, për të tretën herë në 4 vite dhe për herë të 8 në shekullin e XXI. New England kërkon të fitojë titullin e 6 të Super Bowl për të barazuar rekordin e Pittsburgh Steelers si skuadra me më shumë tituj të kohëve moderne. Por, këtë vit, Patriots do ta ketë shumë të vështirë, pasi përballë do të ketë Philadelphia Eagles. Deri në mesin e muajit dhjetor, Eagles ishte favoritja për të fituar, kur u dëmtua “quarterback”-u Carson Wentz, dëmtim që ndikoi edhe në lojën e kësaj skuadre.

Por, në javët e fundit Philadelphia, falë paraqitjes së shkëlqyer të Nick Foles, e ktheu situatën në favor duke eliminuar Atlantën, finalisten e vitit 2017 dhe Vikings.

New England ka një armë të fortë, Tom Brady, që tani krahasohet me Michael Jordan apo Muhammad Ali. Nëse ai do të fitojë titullin e 6 nuk do të jetë vetëm lojtari me më shumë finale Super Bowl të luajtura, por edhe me më shumë trofe. Por jo vetëm kaq. Brady, nëse fiton, do të bëhet lojtari më i madh në moshë që triumfon në Super Bowl, 40 vjeç e 140 ditë.

Tjetër detaj i kësaj supersfide është prania e Legarrette Blount që ka fituar 2 tituj me Patriots, e fundit vitin e kaluar. Këtë vit ai synon titullin e tij të tretë, por këtë radhë me fanelën e Philadelphias, pikërisht kundër ish-ekipit të tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA