Qerimaj dhe Maja i bashkohen aksionit për mbjelljen e pemëve në Tiranë

04/02/2018 14:06

Peshëngritësi Erkand Qerimaj dhe moderatorja e Top Channel, Anjeza Maja, iu bashkuan aksionit të Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e 50 selvive në Unazën Lindore të Tiranës.

“Ky është kampionati më i madh i gjelbërimit që po zhvillohet në Tiranë. Jemi shumë pranë rekordit tonë të 100 mijë pemëve deri më 21 mars. Por, ashtu si Erkandi, disa rekorde i kemi vet në dorë, ndaj kemi vendosur ta thyejmë këtë rekord. Po stërvitemi, që ndoshta edhe ta thyejmë para 21 marsit, duke qenë se jemi shumë pranë këtij numri të paprecedentë të mbjelljeve në Tiranë”, tha Veliaj, kreu i Bashkisë së Tiranës.

Sipas Veliajt, pjesëmarrja e personave publikë në këtë aksion është motivim për të rinjtë, ndërsa Erkand Qerimaj dhe Anjeza Maja treguan përse iu bashkuan kryebashkiakut.

“Është një emocion i veçantë mbjellja e pemës së selvisë sot. Këto janë mushkëritë e qytetit tonë, do të punojmë çdo ditë që të kemi sa më tepër oksigjen, sa më tepër pastërti, për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për të ardhmen tonë natyrisht, që të kemi një jetë sa më të shëndetshme. Është një nismë shumë e mirë, kjo për mbjelljen e sa më shumë pemëve dhe është për shëndetin tonë në radhë të parë”, u shpreh Erkand Qerimaj.

“Duke qenë se merrem me aktivitet fizik, personat që merren me aktivitet fizik, natyrën e kanë aleatin e tyre më të afërt. Kështu që, pak stërvitje në natyrë, me pemë, me ajër të pastër, me klorofil, do të na bënte shumë mirë. Kjo është edhe arsyeja përse jemi këtu sot”, u shpreh Anjeza Maja.

Objektivi i Bashkisë së Tiranës është të mbjellë 100 mijë pemë deri më 21 mars.

FOTO GALERI
6/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA