Emri “Maqedonia” është kthyer tashmë në çështjen kryesore politike në Greqi, e ka përçarë jo vetëm politikanët, por edhe qytetarët.

Qarqe politike qeveritare përpiqen të minimizojnë pjesëmarrjen masive të grekëve në dy mitingjet e fundit, duke theksuar se në mitingun e Selanikut morën pjesë vetëm 90 mijë vetë dhe rreth 140 mijë në atë të Athinës, mesditën e së dielës.

Por, nga ana tjetër, një sondazhi i fundit i Universitetit “Makedonia” të Selanikut, për llogari të Institutit grek të Politikës së Jashtme dhe Europiane në Athinë (ELIAMPE), tregon se 71.5 për qind e qytetarëve pozicionohen kundër përdorimit të emrit “Maqedoni” nga fqinji verior i Greqisë.

Plot 56% e tyre thonë se Tsipras, deri tani e ka trajtuar në mënyrë të gabuar këtë çështje kombëtare, 54% besojnë se edhe veprimet politike të kreut të opozitës Kyriakos Mitsotakis nuk janë të sakta, ndërsa 47% e të anketuarve konsiderojnë gabim strategjinë e Ministrisë së Jashtme greke.

Kjo e fundit ka reaguar ashpër ndaj Komisionerit të Zgjerimit, Johannes Hahn, i cili në një intervistë për revistën gjermane “Der Spiegel”, ku flet për negociatat BE-Shkup, i referohet këtij shteti me emrin “Maqedonia”, emri për të cilin Greqia po zjen në javët e fundit.

Ndërkohë, gazeta e së dielës “To Ethnos” ka publikuar të ashtuquajturat letrat e urrejtjes drejtuar ministrit të Jashtëm Kotzias dhe 4 prej ministrave të kabinetit. Ndërsa në letrën e dytë shkruhej “3 plumba për Kotzias, një për çdo Maqedoni”, në letrën e parë që u drejtohet edhe 300 deputetëve të Parlamentit grek thuhet midis të tjerash:

“Kujt vë firmën në shitjen e Maqedonisë do t’iu zhdukim familjet. U bëjmë thirrje trupave të sigurisë dhe ushtrisë: Mos iu bindni urdhrave, por hyni në Parlament dhe spastrojini të gjithë”.

FOTO GALERI
11/17

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA