Ish-drejtorët mbesin në burg pa afat; Xhika hetohet edhe nga Krimet e Rënda

04/02/2018 18:52

Gjykata e Elbasanit dha në mbremjen e së dielës masën e sigurisë burg pa afat për dy ish-drejtorët e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika dhe Andi Toma, të cilët u arrestuan për tenderimin e rrugës Elbasan-Gjinar, pasi prokuroria i akuzon për abuzim me fondet dhe shpërdorim të detyrës.

Në fillim të seancës, avokatët e Xhikës dhe Tomës kërkuan dorëheqjen e gjytares së çështjes, por e njëjta gjyqtare e përfundoi seancen dhe pjesa e dytë e saj u zhvillua me dyer të mbyllura.

Mbrojtja tha se ky është një gjyq politik dhe se klientët e tyre nuk përbëjnë rrezik nëse lihen të lirë dhe nuk mund të prishin provat. Seancën e ndoqi edhe ish-ministri i Transporteve dhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto.

Por, në një çështje të ndarë nga ajo që shqyrtonte Gjykata e Elbasanit këtë të dielë, Gjykata për Krimet e Rënda ne Tirane vendosi masën e sigurisë arrest me burg për ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika.

Ky i fundit akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre së bashku me dy persona të tjerë, të cilëve u jepen vetëm inicialet. Edhe ndaj tyre është dhënë masa e sigurisë arrest me burg.

Për vendimin e Krimeve të Rënda reagoi kreu i grupit parlamentar te LSI-së, Petrit Vasili. Në një mesazh në Facebook, Vasili thotë se Prokuroria e Krimeve të Rënda është tashmë vegël në duart e Kryeministrit dhe se kjo prokurori i dha fund besimit të shqiptarëve tek drejtësia.

“Prokuroria e Ramës, Markut e Xhafës kërkon ta tërheqë vëmendjen nga batërdia e qeverisjes kriminale e korruptive që po shkatërron vendin”, thotë Vasili, i cili paralajmëron prokurorët se do të mbajnë përgjegjësi personale për këtë shkelje të ligjit, sipas kreut të grupit parlamentar të LSI.

Top Channel