Prezantohet Sadiku: Levanten ma këshilloi De Biasi

03/02/2018 00:03

Të premten pasdite, Armando Sadiku ka bërë edhe prezantimin zyrtar me skuadrën e tij të re, Levanten. Sulmuesi i kombëtares shqiptare iu bashkua klubit spanjoll vetëm në fillim të javës, pasi u largua nga polakët e Legias së Varshavës.

“Jam një sulmues zone, e vërteta është që zona është vendi ku unë ndihem më mirë, në të njëjtën kohë më pëlqen edhe të kthehem, apo të dal në krahë, djathtas apo majtas, por kryesisht më pëlqen të jem në zonë””, tha Sadiku, duke përshkruar veten para gazetarëve.

Sulmuesi elbasanas vlerësoi cilësinë dhe kualitetin e skuadrës së Levantes dhe tha se në këto 3 ditë ka evidentuar shumë gjëra pozitive te shokët e rinj të skuadrës.

“Kam parë gjëra të mira gjatë këtyre 3 ditëve në stërvitje. Jam shumë i kënaqur pasi kemi lojtarë që mund të më çojnë te goli me asistet e tyre. Më duhet të përshtatem me ritmin dhe stilin e shokëve të skuadrës, por më ka surprizuar kualiteti që ka ky ekip, këta lojtarë dhe besoj se mund të bëjmë shumë mirë bashkë”, u shpreh bomberi elbasanas.

Armando Sadiku tregoi edhe një detaj mjaft interesant, pasi tha se është këshilluar pikërisht nga ish trajneri i kombëtares, Giani De Biasi, që të transferohet te klubi spanjoll.

“Më ka folur shumë mirë për këtë klub. Ai ka qenë këtu trajner, më tha që është një klub i vogël, por si një familje, dhe për mua që jam një person shumë i ndjeshëm do të ishte klubi perfekt. Më tha të vija këtu pa hezituar dhe e vërteta është që në tre ditët e para që kam qenë këtu më ka rezultuar saktësisht siç më ka thënë De Biasi”, mbylli prononcimin e tij Sadiku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA