Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj zhvilloi një vizitë në Maqedoni, ku u prit në Ohër nga homologu maqedonas Oliver Spasovski. Gjatë kësaj vizite u nënshkrua “Protokolli i bashkëpunimit për luftën kundër terrorizmit”, i cili u finalizua pas një pune të ekspertëve nga dy vendet.
Pas takimit, në konferencë për mediat, ministri Xhafaj u nënvizoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi.
“Unë besoj se çështjet që diskutuam për luftën kundër terrorizmit dhe luftën kundër krimit të organizuar, kontribuojnë për qetësinë dhe sigurinë në dy vendet tona, por kontribuojnë për qetësinë dhe sigurinë edhe në rajon.
Në axhendën e bisedimeve ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e sigurisë, luftës kundër trafikut të drogës, terrorizmit, si dhe bashkëpunimin ndërkufitar.
Një çështje tjetër, me rëndësi në bisedimet e zhvilluara ishte ngritja e një Qendre Rajonale e Bashkëpunimit Policor, për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky projekt i propozuar nga Xhafaj ka marrë mbështetje nga vende të ndryshme të BE-së, nga Komisioneri Avramopulos, dhe u përkrah plotësisht edhe nga Ministri Spasovksi.
Gjatë bisedimeve të sotme u ra dakord gjithashtu edhe për nisjen e punës për ngritjen e pikave të përbashkëta kufitare në Qafë Thanë, Tushemisht dhe Trebisht.
Ministri i Brendshëm i Maqedonisë Oliver Spasovski, duke folur rreth takimit të zhvilluar, u shpreh se : “Gjatë takimit të sotëm ne biseduam për bashkëpunimin që ne kemi pasur në të kaluarën, por gjithashtu u angazhuam për bashkëpunim të mëtejshëm edhe në të ardhmen. Gjithashtu me rëndësi të madhe është edhe firmosja e memorandumit mes dy vende, në drejtim për forcimit të bashkëpunimit policor dhe luftës kundër terrorizmit ndërmjet të dyja vendeve. Biseduam edhe për nismën e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë për hapjen e qendrave të përbashkëta kufitare të Ballkanit Perëndimor, nismë të cilën ne si ministri e pranuam me kënaqësi.”
Top Channel