Plot 18 persona u plagosën kur një makinë doli nga rruga, në Shangai, dhe goditi kalimtarët që ecnin në trotuar.

Autoritetet kineze thanë se 3 persona janë në gjendje të rëndë dhe se incidenti nuk po trajtohet si akt terrorist.

Sipas medieve, bëhet fjalë për një drejtues mjeti të papërgjegjshëm që humbi kontrollin e makinës ndërsa tymoste brenda saj.

Veç pasagjerëve, në bordin e makinës kishte edhe bombola gazi, diçka tejet e rrezikshme, sidomos pasi mjeti mori flakë.

Megjithatë, ndërhyrja e shpejtë e forcave të sigurisë dhe zjarrfikësve eliminoi mundësinë e një shpërthimi të bombolave.

Autoritetet thanë se kanë nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen, ndërsa drejtuesi i mjetit, një 40-vjeçar i identifikuar me emrin Chen, është vënë në pranga.

Raporte të pakonfirmuara thonë se makina kishte marrë flakë që para përplasjes, e pikërisht zjarri ishte arsyeja e aksidentit, por autoritetet nuk kanë dhënë detaje në këtë kuadër, duke u mjaftuar me komentet se nuk bëhet fjalë për një sulm terrorist.

Top Channel