Incidenti në minierën afrikano-jugore, shpëtohen afro 1.000 minatorë

02/02/2018 10:21

Ishin të bllokuar në një minierë në Afrikën e Jugut, por 955 minatorët u shpëtuan dhe dolën që aty shëndoshë e mirë.

Ata qëndronin nën tokë prej dy ditësh, që pas një defekti në rrjetin elektrik që paralizoi ashensorët e minierës.

Autoritetet lokale dhe ato të minierës thanë se, minatorët janë që të gjithë mirë dhe nuk kanë asnjë problem fizik.

Incidenti ndodhi në minierën e arit “Beatrix” në Welkom, një nga më të mëdhatë në vend. Afrika e Jugut është një prej prodhuesve më të mëdhenj të arit në botë, por standardet e sigurisë shpesh vihen në dyshim.

Megjithatë, në këtë rast duket se siguria ka funksionuar mjaft mirë dhe minatorët u shpëtuan që të gjithë.

Drejtuesit e minierës thanë se elektriciteti u ndërpre, pasi u rrëzuan disa shtylla jashtë impiantit nga një stuhi e fuqishme, gjë që nuk është në dorën e kompanisë.

Ndërsa minatorët prisnin të shpëtoheshin, shqetësimi kryesor ishte ajrosja, që duket se ka qenë në nivelin e duhur, përderisa thuajse 1.000 të mbyllur në një vend nuk patën probleme me frymëmarrjen.

Top Channel