Gazetari Bashkim Hoxha feston ditëlindjen duke mbjellë 100 pemë

02/02/2018 13:07

Shkrimtari dhe gazetari Bashkim Hoxha ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të festuar 64-vjetorin e tij të lindjes, duke mbjellë 100 pemë të reja pranë nënkalimit Mjull-Bathore.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e vlerësoi gjestin e tij, si një detyrë qytetare, e cila së pari jep shembullin e mirë për të kontribuar në më shumë ajër të pastër për fëmijët e kryeqytetit.

Veliaj tha se një profesionist i mirë është edhe një qytetar i mirë, që kontribuon për zgjidhjen e problemeve aty ku është nevoja. “Jam posaçërisht i lumtur sot që në këtë aksion, edhe pse ditë me shi, na është bashkuar një nga njerëzit më të dashur për shqiptarët, Bashkim Hoxha, i cili sot ka edhe ditëlindjen. Nuk besoj se ka mënyrë më të bukur për të festuar ditëlindjen se me mbjelljen e 100 pemëve në këtë zonë të Pyllit Orbital të Tiranës. I jam pafund mirënjohës sot Bashkimit për qytetarinë e treguar. Nuk mjafton të jesh vetëm gazetar i mirë, nëse s’je qytetar i mirë”, tha ai.

Gazetari Bashkim Hoxha përshëndeti nismën e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, si një garanci për të ardhmen e brezave. “Është një ditë e veçantë për mua. Është ditëlindja ime dhe gjëja më e mirë dhe më simbolike është pikërisht të mbjellësh një pemë për të ardhmen sepse ditëlindja, në moshën time, numëron vitet që ikin. Pikërisht, në këtë ikje vitesh, mbjellja e një peme për të nesërmen bëhet akoma më e domosdoshme dhe është një iniciativë që unë e përshëndes me gjithë shpirt”, tha Hoxha.

Pylli Orbital, i njohur ndryshe edhe si unaza e 5-të e Tiranës, sjell mbjelljen e një muri të gjelbër me 2 milionë pemë dhe lidh 14.671 hektarë parqe, fusha bujqësore, pyje dhe forma të tjera të vegjetacionit rreth qytetit, duke ndikuar jo vetëm në përmirësimin e anës estetike të qytetit, por edhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit për qytetarët.

Top Channel