Frikë për Barrichellon, problem i papritur në vena: Jam më mirë

02/02/2018 13:16

Rubens Barrichello frikëson sërish. Ish-piloti brazilian i Formulës 1, sot 45 vjeç, u shtrua me urgjencë në një spital ditën e shtunë si pasojë e një sëmundjeje, e pas diagnostikimit u mësua se kishte një problem në një venë gjaku që i kishte shkaktuar një dhimbje të fortë koke.

Pas kurave paraprake mjekësore, u deshën edhe një sërë testesh mjekësore. Ish-piloti i Ferrarit shpërndau në rrjetin social “Instagram” një videomesazh për tifozët e tij. “Tani jam më mirë, por pata fatin që ime shoqe më shoqëroi menjëherë për në spital”.

Një sëmundje e papritur dhe shtrimi në urgjencë ishin “të frikshme”, por më e keqja duket se ka kaluar, edhe pse frika ishte e madhe.

Barrichello qetësoi ndjekësit e tij me një videomesazh të postuar nga krevati i spitalit, në pritje të disa analizave të tjera.

“Të shtunën u ngrita në mëngjes, doja të bëja një dush, por pata një dhimbje të fortë koke. Bashkëshortja ime ishte aty, për fat të mirë, e thirri menjëherë mjekët, të cilët më transportuan në spital. Duhet të bëj ende disa analiza, por deri tani duket se kam pasur një problem në vena. Falënderoj Zotin për gjithçka më ka dhënë dhe për dashamirësinë tuaj. Shpresoj të rikthehem shpejt në pistë”, thotë Barrichello.

45-vjeçari u tërhoq nga garat e Formulës 1 në vitin 2011, e më pas garonte në kategorinë “Stock” në Brazil, përveç pjesëmarrjes në IndyCar dhe 24 orët e Le Mansit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA